Molekulat jetësore janë disa lloj molekulash të veçanta, që me përjashtim të ndonjë rasti të rallë, i gjejmë vetëm tek qëniet e gjalla (ose të vdekura). Pa praninë e këtyre molekulave nuk mund të ketë jetë. Jeta bëhet e mundur vetëm në sajë të bashkëveprimeve kimike të këtyre molekulave me njëra tjetrën dhe lëndë të tjera jo të gjalla (jo organike). Emërtimi shkencor i molekulave jetësore është biomolekula.
Tek të gjitha gjallesat molekulat jetësore janë njësoj dhe kryejnë të njëjtat veprime, pavarësisht bashkësisë së cilës i përkasin (baktere, shumëqelizore, etj). Kemi katër lloje molekulash jetësore: karbohidratet (sheqernat), lipidet (yndyrnat), proteinat dhe acidet nukleike. Këto molekula përftohen prej bashkimit të atomeve të karbonit, hidrogjenit, oksigjenit, azotit, fosforit dhe squfurit. Sheqernat dhe lipidet shërbejnë kryesisht si bartës fuqie dhe lëndë ndërtimore, ndërsa proteinat dhe acidet nukleike kanë përbërje dhe detyra më të ndërlikuara dhe shërbejnë si udhëzuese, si nxitëse të bashkëveprimeve kimike dhe si udhëheqëse të veprimtarive biologjike.
Sheqernat janë burimi kryesor i fuqisë për të gjitha gjallesat. Ato merren nëpërmjet ushqimit (bukë, oriz, fruta), shpërbëhen gjatë veprimtarisë së tretjes dhe prej tyre përftohet glukoza, e cila shërben si lëndë djegëse për veprimtarinë qelizore. Tek bimët sheqernat kryejnë edhe detyra ndërtimore, pasi përdoren për përftimin e celulozës, lënda prej të cilës përbëhet druri dhe gjethet e bimëve. Ja disa nga karbohidratet që i gjejmë më shpesh tek veprimtaritë qelizore:
Glukoza C6H12O6 monosaharid - burimi kryesor i fuqisë që shfrytëzohet nga qelizat.
Fruktoza C6H12O6 monosaharid - gjendet tek frutat; shndërrohet në glukozë me qëllim që pastaj të shërbejë si burim fuqie.
Sukroza C12H22O11 disaharid - (sheqeri i tryezës); përdoret për zhvendosjen e fuqisë kimike (të fjetur) tek bimët.
Laktoza C12H22O11 disaharid - (sheqeri i qumështit); shërben si burim fuqie vegjlit e gjitarëve.
Niseshteja (amidoni) (C6H10O5)n polisaharid - mënyra kryesore e ruajtjes së fuqisë kimike tek bimët.
Celuloza (C6H10O5)n polisaharid - ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë së ngrehinës qelizore tek muret e bimëve (fibrave).
Lipidet janë një tjetër bashkësi molekulash jetësore. Në këtë bashkësi përfshihen yndyrnat, vajrat dhe dylli. Lipidet kryejnë dy lloj detyrash: ruajnë fuqinë kimike (të fjetur) për ta përdorur atë kur del nevoja, si dhe janë pjesë përbërëse e ndërtimit të lëvores së qelizës. Pa lëvore, qelizat nuk do të mund të ruanin qëndreshmërinë e tyre të brendshme. Disa lipide shërbejnë edhe si bartës të të dhënave e udhëzimeve që shkëmbëhen brenda mjedisit qelizor për kryerjen veprimtarive jetësore. Ja disa nga lipidet që i gjejmë më shpesh tek veprimtaritë qelizore:
Acidi palmitik C16H32O2 - acid yndyror (i ngopur); shërben si burim fuqie dhe si pjesë ndërtimore për lipide më të ndërlikuara.
Acidi oleik C18H34O2 - acid yndyror (i pangopur); përdoret si burim fuqie dhe ndihmon në ruajtjen e përkulshmërisë së lëvores (membranës) qelizore.
Kolesteroli C27H46O - sterol (një lloj steroidi); pjesë përbërëse e ngrehinës së lëvores qelizore dhe pararendës jetik për përftimin e hormoneve steroide (si estrogjeni dhe testosteroni) dhe Vitaminës D.
Trigliceridet C57H110O6 - glicero-lipide (yndyrë ruajtëse); mënyra kryesore e ruajtjes së fuqisë kimike në trup (yndyra trupore). Gjithashtu mbron organet nga temperaturat e skajshme dhe ndikues të tjerë të jashtëm.
Fosfatidilkolina C40H80NO8P - fosfolipid; lipidi kryesor me të cilën ndërtohet shtresa dyfishe (bistrata) e lëvores qelizore. Njëkohësisht shërben si mbikqyrës i zhvendosjes së lëndëve nga mjedisi i jashtëm tek mjedisi i brendshëm dhe anasjelltas.
Proteinat kanë fituar nofkën “punëtorët e krahut” pasi përfshihen në një mori veprimtarish jetësore. Proteinat janë ngrehina molekulare të ndërlikuara dhe përbëhen prej vargonjve molekularë të gjatë të quajtur aminoacide, të cilët mbështillen rreth vetes si kaçurrela. Pamja përfundimtare e proteinës përcakton edhe detyrat që ajo kryen. Disa proteina marrin pjesë në ndërtimin e indeve trupore, si muskujt, flokët dhe thonjtë, ndërsa disa të tjera veprojnë si nxitës (enzima) që përshpejtojnë bashkëveprimet kimike, apo si hormone që udhëheqin veprimaritë jetësore. Ja disa nga proteinat që i gjejmë më shpesh tek veprimtaritë qelizore:
Hemoglobina C₇₄₀H₁₂₀₄N₁₉₅Fe₁O₂₁₅ – proteinë e ndërlikuar; ka për detyrë të shpjerë oksigjenin nga mushkëritë drejt indeve të trupit, si dhe të kthejë dioksidin e karbonit drejt mushkërive.
Miozina C₁₇₈₃H₂₈₃₀N₅₁₂O₅₁₇S₁₀ – proteinë fibrilare; kryen detyra që lidhen me veprimin e tkurrjes së muskujve, në bashkëvperim me aktinën, si dhe shndërron fuqinë kimike në lëvizje mekanike.
Kolagjeni C₆₅H₁₀₂N₁₈O₂₁ – proteinë ndërtimore; shërben si lëndë ngjitëse, u jep lëkurës dhe tejzave aftësinë për t’u përkulur si dhe u jep eshtrave qëndrueshmëri.
Insulina C₂₅₇H₃₈₃N₆₅O₇₇S₆ – proteinë hormonale; mbikqyr sasinë e glukozës në gjak, e cila pastaj do të shfrytëzohet nga qelizat për t’iu vjelë fuqia.
Albumina C₂₉₃₄H₄₆₀₄N₇₈₂O₈₉₈S₃₆ – proteinë plazmatike; ndihmon në drejtpeshimin e trysnisë ozomotike të gjakut dhe shërben si bartëse e shumë lëndëve, përfshirë hormonet dhe barnat.
Paraqitje e thjeshtuar me gogla dhe shkopinj e ndërtimit molekular të hemoglobinës. Pamja në të djathtë tregon në mënyrë të thjeshtuar drejtimin e përgjithshëm të boshtit qendror të vargoit molekular dhe përdredhjet e shumta të tij.
Goglat ngjyrë gri përfaqësojnë atomet e karbonit (C), atomet e hidrogjenit (H) nuk janë paraqitur për të thjeshtuar pamjen, goglat e kuqe - atomet e oksigjenit (O), gogla e kaltra - atomet e azotit (N), goglat e verdha - atomet e fosforit (P).
Acidet nukleike, që ndryshe i njohim si ADN dhe ARN, janë bartësit a trashëgimisë gjenetike - të dhënat dhe udhëzimet që u nevojiten qelizave për zhvillimin e veprimtarive jetësore - nëpërmjet kodit gjenetik, i cili ka trajtë vargu të gjatë molekular të përdredhur e të mbështjellë rreth vetes rreth 10,000 herë. ADN mund ta përfytyrojmë si një libër që përmban të dhënat dhe udhëzimet, ndërsa ARN si përkthyesin, me ndihmën e të cilit të dhënat e ADN bëhen të kuptueshmë nga ribozomet gjatë prodhimit të proteinave. Falë acideve nukleike jeta mund të trashëgohet nga brezi në brez. Fomulat e acideve nukleike janë si më poshtë:
ADN (acidi deoksiribonukleik) C₁₀H₁₄N₅O₆P – Makromolekulë nukleike; përmban të dhëna e udhëzime për ndërtimin e proteinave.
ARN (acidi ribonukleik) – C₁₀H₁₅N₅O₈P – makromolekulë nukleike; shumëfishon dhe përçon udhëzimet gjenetike të ADN-së drejt ribozomeve për ndërtimin e proteinave në qeliza.