Qarkullmi i gjakut dhe frymëkëmbimi janë dy veprimtari që varen prej njëra-tjetrës pasi detyra kryesore e tyre është bartja e molekulave të oksigjenit drejt organeve të trupit dhe nxjerrja e molekulave të dioksidit të karbonit jashtë trupit. Veprimtaria i qarkullimit të gjakut kryhet nga zemra, enët e gjakut dhe gjaku. Kjo veprimtari kryhet me qëllim që të qarkullojë e të shpërndajë tek të gjitha organet lëndët ushqyese e gazrat dhe të largojë mbetjet nëpërmjet gjakut. Bashkësia e organeve që kryejnë qarkullimin e gjakut në gjuhën shkencore quhet sistemi i qarkullimit të gjakut.
Pamje e vizatuar e rrjetit të qarkullimit të gjakut në të cilën janë paraqitur zemra, venat, arteriet dhe kapilarët. Në të majtë është paraqitur një pamje e zmadhuar e zemrës dhe drejtimet e qarkullimit të gjakut.
Zemra është një organ i përbërë prej indeve muskulore dhe ka për detyrë të shtyjë gjakun në të katër anët e trupit. Zemra ka katër kthina, dy të sipërme, që në gjuhën shkencore quhen atriume, dhe dy të poshtme që në gjuhën shkencore quhen ventrikula. Ana e djathtë dhe ana e majtë e zemrën ka secilës nga një detyrë të caktuar. Ndonëse zemra është një trup i vetëm, ajo vepron si dy njësi me detyra krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Kthinat e anës së djathtë (ana e majtë në vizatim) shtyjnë gjakun në drejtim të mushkërive, ku do të pasurohet me oksigjen. Pastaj gjaku i pasuruar me oksigjen do të shtyhen nga kthinat e anës së majtë (ana e djathtë në vizatim) në drejtim të të gjitha organeve të tjera të trupit. Gjaku në zemër vjen nga dy drejtime kryesore, nga pjesa e epërme e trupit (truri, qafa, krahët, gjoksi dhe shpina e sipërme) dhe nga pjesa e poshtme e trupit (këmbët, legeni, veshkat, mëlçia, organet e shumimit, shpina e poshtme).
Bartja e gjakut në të katër anët e trupit bëhet nëpërmjet enëve të gjaku. Ato janë tre llojesh:
Venat janë enë që bartin gjakun e zbrazur nga oksigjeni drejt zemrës nga pjesë të ndryshme të trupit. Ato kanë mure më të holla në krahasim me arteriet dhe janë të pajisura me dyer të vogla që pengojnë kthimin mbrapsht të gjakut. Në gjuhën shkencore këto dyer quhen valvula. Venat janë sipërfaqësore, që duken në lëkurë, dhe të thella, që ndjekin rrugën e arterieve. Venat më të mëdha janë venat kava e sipërme dhe e poshtme që shpin gjakun nga pjesa e sipërme dhe e poshtme e trupit drejt anës së djathtë të trupit. Venat marrin ngjyrë të kaltër të errët për shkak të gjakut të zbrazur nga oksigjeni.
Arteriet janë enë që bartin gjakun e pasuruar me oksigjen nga zemra drejt indeve dhe organeve të tjera. Ato kanë mure të trasha dhe të përulshme që mund të durojnë shtyrjen e gjakut me trysni të lartë nga zemra. Arteria më e madhenë trup është aorta, e cila degëzohet në shumë arterie më të vogla si arteriet karotide (që furnizojnë qafën dhe kokën) dhe arteriet femorale (që furnizojnë këmbët). Arteriet vijnë duke u zvogëluar e dukeu kthyer në arteriola, të cilat degëzohen më tutje me kapilarë. Arteriet marrin ngjyrë të kuqërremtë për shkak të gjakut të pasuruar me oksigjen.
Kapilarët janë enët më të holla dhe më të shumta të gjakut në trup. Ato janë të shpërndara në një rrjet shumë të gjerë që në gjuhën shkencore quhet shtrati kapilar. Muret e tyre të holla të përbëra prej qelizave endoteliale mundësojnë shkëmbimin e gazrave, lënëve ushqyese dhe mbetjeve mes gjakut dhe indeve përreth. Kapilarët shërbejnë edhe si ura lidhëse mes arterieve dhe venave duke u lidhura sipas arteriolave ashtu edhe pas venulave.
Gjaku është një lëndë e pasur me shumë përbërës.
Përbërësi kryesor i gjakut nëpërmjet të cili barten gjithë përbërësit e tjerë është lëngu i gjakut. Ai ka ngjyrë të verdhë dhe përbën rreth 55% të vëllimit të gjakut. Në gjuhën shkencore quhet plazmë. Plazma përbëhet prej ujit (90-92%), por përmban edhe proteina, elektrolite, lëndë ushqyese, hormone dhe mbeturina. Proteinat që gjenden në gjak, si albumina, globulina dhe fribrinogjeni ndikojnë në ruajtjen e shkallës së trysninë së gjakut (tensionit), tek veprimtaria e sistemit imunitar dhe në mpiksjen e gjakut. Plazma shërben si mjet bartës për zhvendosjen e lëndëve drejt qelizave dhe mbeturinave drejt jashtëqitjes.
Rruazat e kuqe janë qeliza me detyrë të veçantë, të cilat ngarkohen me oksigjen. Rruazat e kuqe mund të krahasohen me kamionë të vegjël që shpërndajnë oksigjenin në të gjithë trupin. Në gjuhën shkencore rruazat e kuqe quhen eritrocite.
Rruazat e bardha janë gjithashtu qeliza me detyrë të veçantë. Vetëm se detyra e tyre nuk është shpërndarja po ruajtja e rendit. Rruazat e bardha mbrojnë organizmin nga sëmundjet dhe trupat e huaj të padukshëm me sy të lirë si për shembull bakteret e viruset.
Trombocitet janë copa qelizash që kanë për detyrë mpiksjen e gjakut. Për shembull, në rastet kur pësojmë një gërvishtje në lëkurë dhe del gjak, do të vëmë re se shumë shpejt gjaku do të pushojë së dali dhe plaga do fillojë të mbyllet. Janë pikërisht trombocitet ato që bëjnë mbylljen e plagës. Trombocitet mund të krahasohen me muratorë të vegjël që kanë për detyrë të riparojmë muret e çara.
Sistemi i frymëkëmbimit ka për detyrë të fusë oksigjenin në gjak dhe të çlirojë dioksidin e karbonit. Oksigjeni dhe dioksidi i karbonit thithen dhe çlirohen nëpërmjet arjit.
Hallka e parë nëpër të cilën kalon ajri janë hunda dhe goja. Në fillim atje oksigjeni kalohet në sitë për t’u pastruar nga papastëritë dhe trupat e huaj, ndërkohë ngrohet, pasurohet me lagështirë dhe kalon në gabzherr, i cili në gjuhën shkencore quhet trakea. Gabzherri është një gyp i gjatë e i gjerë që lidh hundën dhe gojën me mushkëritë. Në fund gabzheri ndahet në dy degë, që në gjuhën shkencore quhen bronke dhe secila bronke futet në një nga dy kthinat e mushkërive. Në brendësi të mushkërive gabzheri përfundon me degëzime më të vogla, të cilat në gjuhën shkencore quhen bronkiole.
Mushkëritë janë dy thasë të mëdhenj me cipë të përkulshme të cilët fryhen dhe çfryhen si tullumbace sa herë marrim dhe nxjerrim frymë. Kjo veprimtari e mushkërive quhet pompë. Në fund të bronkiolave gjenden disa flluska të vogla të veshura me kapilarë ku ndodh shkëmbimi i molekulave të oksigjenit dhe dioksidit të karbonit. Këto flluska në gjuhën shkencore quhen alveola. Kur marrim frymë, alveolat kapin molekulat e oksigjenit dhe ia ngarkojnë ato rruazave të kuqe të gjakut që gjenden nëpër kapilarë, të cilat sapo shkarkuan molekulat e dioksidit të karbonit që kishin mbledhur nëpër trup. Kur nxjerrim frymë këto molekula nxirren tek bronkiolat dhe pastaj nëpërmjet gabzherrit, gojës e hundës jashtë trupit.
Rrugëtimi i plotë i oksigjenit fillon me ajrin që futet në mushkëri (2) nëpërmjet hundës, gojës dhe gabzherrit (trakeas) (1). Në fund të gabzherrit molukulat e oksigjenit përthithen nga alveolat dhe ngarkohen mbi rruazat e kuqe (2). Pastaj rruazat e kuqe nisen drejtë anës së majtë të zemrës (ana e djathtë në vizatim) (3), nga ku shtyhen, pastaj, me forcë drejt organeve të tjera nëpërmjet artierieve dhe kapilarëve (4). Kur mbërrijnë në vendin e caktuar ato dorëzojnë ngarkesën me oksigjen dhe ngarkohen sërish, por kësaj radhe me molekula të dioksidit të karbonit. Me ngarkesën e re ato udhëtojnë sërish drejtë zemrës nëpërmjet venave, por kësaj radhe në anën e djathtë të saj (ana e majtë në vizatim) (5). Aty ato shtyhen sërish me forcë drejtë alveolave në brendësi të mushkërive (6) ku dhe doëzojnë ngarkesën e molekulave të dioksitit të karbonit, i cili nxirret jashtë nëpërmjet bronkiolave, gabzherrit (trakeas), hundës e gojës gjatë frymënxjerrjes (7). Me frymëmarrjen tjetër çdo gjë fillon nga fillimi. Sistemi i frymëmarrjes ka për detyrë të furnizojë qelizat e trupit me oksigjen të vazhdueshëm, në mënyrë që ato të kryejnë detyrat e tyre përkatëse.