Lëkura, qimet, thonjtë dhe gjëndrat përbëjnë sistemin integumentar. Ky sistem kryen detyra jetësore në trupin e njeriut, si mbrojtja e organeve nga dëmtimet, drejtpeshimi i temperaturës dhe shkëmbimin e të dhënave ndjesore nga mjedisi i jashtëm. Sistemi shërben si gardh mbrojtës kundër infeksioineve dhe humbjes së ujit (dehidratimit). Ai gjithashtu ndihmon në krijimin e vitaminës D dhe jashtëqitjen e mbeturinave.
Lëkura është organi më i madh i trupit të njeriut. Ajo mbulon dhe mbron të gjithë organet e tjera që gjenden brenda trupit. Lëkura shërben si gardh kundër bakterieve, viruseve dhe gjithëfarëlloj gjallesave të dëmshme. Lëkura ndihmon gjithashtu drejtpeshimin e temperaturës së lëkurës nëpërmjet djersitjes dhe qarkullimit të gjakut, si dhe na ndihmon të njohim mjedisin e jashtëm nëpërmjet prekjes, dhimbjes dhe nxehtësisë.
Lëkura ka tre shtresa kryesore: epidermën (shtresa e jashtme), dermën (shtresa e mesme) dhe indet nënlëkurore (subkutane) që janë shtresa e brendshme.
Epiderma përbëhet kryesisht prej disa qelizave me detyrë të posaçme. Ato krijojnë një lloj proteine që e bën lëkurën më të fortë e më të qëndrueshme. Në gjuhën shkencore kjo proteinë quhet keratinë, ndërsa qelizat quhen keratinocite. Epiderma përmban gjithashtu qeliza që kanë për detyrë të krijojnë një lëndë që ngjyros lëkurën dhe e bën më të errët. Këto qeliza në gjuhën shkencore quhen melanocite, ndërsa ngjyrosësi quhet melaninë. Melanina ka për detyrë të mbrojë lëkurën nga rrezet ultraviolet (UV) të diellit, prandaj dhe tek njerëzit me lëkurë të bardhë ajo shfaqet vetëm pasi lëkura të ketë ndenjur përnjë kohë të gjatë nën ndikimin e dritës së diellit.
Derma gjendet menjëherë poshtë epidermës. Ajo është më e trashë dhe përmban lëndë ngjitëse dhe fije të lakueshme e të përkulshme që i japin lëkurës fortësi dhe përkulshmëri. Në gjuhën shkencore këto dy lëndë quhen përkatësisht kolagjen dhe fibra elastini. Nëpër dermë kalojnë enët e gjakut, nervat ndijor, si dhe gjenden fshikëzat e qimeve dhe gjëndrat.
Indet nënlëkurore përbëjnë shtresën e brendshme të lëkurës. Kjo shtresë përbëhet kryesisht prej indeve dhjamore dhe indeve lidhëse. Ato shërbejnë si gardh midis lëkurës dhe muskujve.
Qimet ndihmojnë trupin nga dëmtues të ndryshëm të jashtëm si drita e diellit apo gërvishtjet. Qimet ndihmojnë gjithashtu edhe në drejtpeshimin e temperaturës për shkak se shërbejnë si veshje. Tek njerëzit, qimet e kokës (flokët) e ruajnë kokën nga rrezatimet ultraviolet (UV) të diellit, ndërsa qerpikët dhe vetullat mbrojnë sytë nga pluhuri dhe djersa.
Qimet rriten në gjendra të vogla nën lëkurë dhe përbëhen prej proteinave, të cilat në gjuhën shkencore quhen keratin. Qimja është e ndarë në tre pjesë: boshti, rrënja dhe fshikëza. Boshti i flokëve është pjesa e dukshme pasi del jashtë sipërfaqes së lëkurës. Rrënja e qimes gjendet në lëkurë, brenda fshikëzës së qimes, e cila ka pamjen e një gypthi të hollë. Tek themelet e fshikëzës gjendet zhardhoku i qimes, ku qelizat e flokëve shumëfishohen për të krijuar boshtin e qimes. Rrethepërqark gjëndrës së qimes ndodhen gjëndra dhjamore, të cilat krijojnë dhe vjellin yndyrë që vajos lëkurën për ta mbrojtur atë të njomë. Qimja është e kapur me një muskul fare të imët, i cili ka për detyrë që në rrethana të caktuara, për shembull kur bën ftohtë, ta ngrejë qimen lart. Kur ngrihen qimet themi që “u rrëqeth lëkura” ose që “lëkura u bë me mornica”. Në gjuhën shkencore muskuli i qimes quhet muskuli pili.
Thonjtë shërbejnë si mbulesa të ngurta mbrojtëse për gishtat e duarve dhe këmbëve. Ato mbrojnë indet e buta nga dëmitmet si dhe nga ndihmojnë që të kryejmë veprime të imta, si për shembull kapja e sendeve. Thonjtë përmirësojnë shqisën e prekjes duke vepruar si pengesë në çastin e prekjes. Thonjtë janë tregues i përgjithshëm i shëndetit të njeriut, për shkak se çdo ndryshim në ngjyrë, sipërfaqe ose pamje mund të tregojë një gjendje jo të mirë të tij.
Thonjtë përbëhen prej disa pjesëve: pafta e thoit, shtrati i thoit, lëkura e vdekur (kutikla), kreshta e thoit dhe hënëza (lunula). Pafta e thoit është pjesa e rrafshët e ngurtë që duket me sy. Ajo përbëhet prej proteinave që në gjuhën shkencore quhen keratin. Shtrati i thoit është lëkura që gjendet menjëherë poshtë paftës së thoit. Ajo është e pasur me enë gjaku, nga të cilat merr edhe ngjyrën rozë. Lëkura e vdekur (kutikla) shërben si shtresë mbrojtëse për qelizat e reja të keratinës. Kreshta e thoit është lëkura rrethepëraqark thoit. Ndërsa hënëza është pjesa e zbardhur në fillim të paftës së thoit kur krijohen qelizat e reja keratinoze.
Në lëkurën e njeriut gjejmë dy lloj gjëndrash: gjëndrat e djersës dhe gjëndrat e yndyrës. Gjëndra e djersës kanë për detyrë të vjellin djersë. Djersa ndihmon fotohjen e trupit nëpërmjet avullimit, e njëkohësisht largon edhe mbeturina trupore. Gjëndrat e djersës janë dy llojesh: gjëndra ekrine dhe gjëndra apokrine. Gjëndrat ekrine janë të përhapura në të gjithë trupin dhe kanë dalje në sipërfaqen e jashtme të lëkurës. Ato vjellin djersë të ujshme. Gjëndrat apokrine gjenden vetëm në disa vende të caktuara, si për shembull tek sqetullat apo tek ijët dhe kanë dalje vetëm tek gypthat e qimeve. Ato vjellin djersë më të trashë që kur shpërbëhet nga bakteret e lëkurës vjen erë të rëndë.
Gjëndrat e yndyrës i gejmë pothuajse gjithmonë të kapura qimeve. Ato vjellin një lëndë si vaj, e cila në gjuhën shkencore quhet sebum. Kjo lëndë yndyrore e mban lëkurën të njomë dhe e mbron atë nga bakteret.
Gjëndrat bashkëpunojnë me njëra tjetrën për ta mbajtur lëkurën të shëndetshme, për të drejtpeshuar temperaturën e trupit dhe për ta mbrojtur atë nga gjallesat e jashtme.