Mbarëvajtja e veprimtarisë së organeve të trupit mbikqyret nga një bashkësi dhe gjendrash, detyra kryesore e të cilave është të krijojnë dhe shpërndajnë lëndë kimike. Këto lëndë kimike ndihmojnë mbarëvajtjen e veprimtarive të ndryshme, përfshi rritjen, çlirimin dhe shfrytëzimin e fuqisë (metabolizmin) dhe shumimin (riprodhimin). Në gjuhën shkencore bashkësia e këtyre gjendrave dhe veprimtaria e tyre quhet sistemi endokrin. Ndryshe nga sistemi nervor, i cili bazohet tek ngarkesat elektrike për të dhënë udhëzime e për të marrë të dhëna shpejt, sistemi endokrin dërgon lëndë kimike nëpërmjet gjakut për të dërguar udhëzime e detyra më të ngadalta por me ndikmi më afatgjatë. Ky sistem luan rol të rëndësishëm në mbarëvajtje e një veprimtarie të drejtpeshuar, duke bërë që çdo gjë të shkojë mirë, që nga përballja me trysninë mendore e deri tek kundërveprimet si pasojë e trsynisë.
Hormonet janë lëndë kimike që shërbejnë si lajmës. Ato krijohen nga gjëndrat dhe udhëtojnë nëpëmjet gjakut drejt organeve të ndryshme. Detyra e tyre është të bartin urdhra dhe udhëzime që u tregojnë organeve se çfarë duhet të bëjnë dhe kur duhet ta bëjnë. Për shembull disa hormone na ndihmojnë të rritemi. Disa të tjera na ndihmojnë të përballemi trysninë mendore. E disa ndihmojnë që të ruhet një veprimtari e drejtpeshuar e çlirimit dhe shfrytëzimit të fuqisë në trup. Hormone punojnë më ngadalë se nervat, por pasojat e tyre janë më afatgjata.
Hormonet veprojnë tek qeliza dhe organe të veçanta me të cilat ato përputhen. Këtë përputhje mund ta përfytyrojmë sikur çdo hormon ka një kyç që hap derën e një qelize apo një organi të caktuar dhe këto dyer mund të hapen vetëm nga ky kyç. Kur hormonet mbërrijnë në vendin e caktuar dhe hapin derën, pasojat e kësaj veprimtarie i ndjejmë në trajtën e urisë, të gjumit, të zhvillimit, etj.
Gjendrat janë punishte të vogla me detyra të posaçme që kriojnë dhe lëshojnë lëndë kimike me qëllim kryerjen e detrave të ndryshme. Në gjuhën shkencore këto lëndë quhen hormone. Gjëndrat e sistemit endokrin janë gjëndra e hipofizës, tiroidet dhe gjëndrat mbiveshkore.
Gjëndra e hipofizës gjendet në tru, ajo është e madhe sa një kokërr bizele, por shërben si një drejtori e përgjithshme nga e cila lëshohen urdhra e udhëzime që duhet të zbatohen nga gjithë gjëndrat e tjera të sistemit endokrin. Ajo e bënë këtë me ndihmën e një numri hormonesh: hormonin e rritjes, prolaktinën, hormonin adrenokortikotropik, hormonin që nxit tiroidet, hormonin që nxit folikulat, hormonin Luteinizig, endorfinat, oksitocinën dhe hormonin antidiureik (vazopresin).
Tiroidet gjenden në rrethinat e ezofagut, poshtë arrëzës së fytit. Atje krijohen hormone tiroidale. Këto hormone caktojnë shpejtësinë me të cilën trupi përpunon ushqimin dhe ndikojnë në peshën trupore dhe në shkallën e shfrytëzimit të fuqisë. Kur tiroidet nuk krijojnë sasi të mjaftueshme hormonesh, trupi ndjen këputje dhe të ftohtë.Kur tiroidet krijojnë më shumë se ç’duhet, trupi ndjen shqetësim dhe nxehtësi.
Gjëndrat mbiveshkore gjenden pikërisht mbi veshka, nga dy copë për veshkë. Ato krijojnë hormone si adrenalina, e cila e përgatit trupin për gjendje rreziku duke rritur rrahjet e zemrës dhe shkallën e fuqisë. Këto gjëndra krijojnë edhe kortizol, një hormon që ndihmon në përballjen e trysnisë dhe mbikqyr mënyrën se si trupi përdor yndyrnat, proteinat dhe karbohidratet.
Pankreasi gjendet pas stomakut dhe ndihmon si veprimtarinë e tretjes ashtu edhe atë endokrine. Si organ i sistemit endokrin, atje krijohet dhe lëshohet insulina dhe glukagoni, hormone që mbajnë në drejtpeshim praninë e sheqerit në gjak. Insulina e ul praninë e sheqerit duke ndihmuar qelizat që të përthithin molekulat e gluozës. Ndërsa glukagoni rrit praninë e sheqerit në gjak duke e udhëzuar mëlçinë që të lëshojë më shumë glukozë nga kursimet.
Vezoret (tek femrat) gjenden në rrethinat e legenit dhe krijojnë hormonet estrogjen dhe progesteron. Këto hormone ndihmojnë në mbarëvajtjen e veprimtarisë së krijimit dhe shkarkimit të vezëve (cikli menstrual), ndikojnë në zhvillimin e gjokseve dhe ndihmojnë trupin të përgatitet për shtatzani. Estrogjeni dhe progesteroni ndihmojnë gjithashtu edhe veprimtari të tjera trupore si shëndetin e kockave dhe gjendjen shpirtërore.
Herdhet (tek meshkujt) gjenden jashtë trupit, në thesin e herdheve, poshtë penisit. Ato krijojnë hormonin e testosteronit, i cili mbikqyr krijimin e indeve riprodhuese mashkullore, si herdhet dhe prostata, si dhe ndihmon në zhvillimin e veçorive të tjera mashkullore si rritja e dendësisë së muskujve, të kockave dhe të flokëve. Testosteroni ndihmon në mbajtjen e dëshirës seksuale, krijimin e spermës dhe shkallën e përgjithshme të fuqisë. Në gjuhën shkencore herdhet quhen testikuj.