Mënyra se si gjallesat bëjnë të mundur vazhdimësinë e llojit të tyre është duke u shtuar. Nëse nuk do të shtoheshin ato shumë shpejt do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Gjallesat shtohen në mënyra të ndryshme. Disa gjallesa shtohen, ose më mirë shumëfishohen në rrafshin molekular, disa të tjera shtohen duke u çiftëzuar e duke pjellë pasardhës. Gjallesat shumë qelizore, siç janë për shembull kafshët, shtohen nëpërmjet çiftëzimit. Bakteret, duke qenë gjallesa njëqelizore, shumëfishohen në rrafshin molekular.
Mënyra se si gjallesat mbijetojnë në mjedisin ku jetojnë është duke u përshtatur. Nëse nuk do të përshtateshin, ato do të hasnin në vështirësi shumë të mëdha për të gjetur ushqim dhe mbrojtje, gjë që do të vështirësonte afëtsinë e tyre për t’u shtuar. Gjallesat arrijnë të përshtaten në një larmi mënyrash. Ato mund të pësojnë ndryshime në ndërtimin e tyre trupor, ndryshime në rendimentin e bashkëveprimeve kimike ose ndryshime në veprimtarinë e gjeneve.
Shtimi bën të mundur vazhdimësinë e llojeve të gjallesave, ndërsa përshtatja bën të mundur që gjallesat të mbijetojnë e të lulëzojnë sa më shumë që të jetë e mundur.
Ngjizja është dukuria e bashkimit të qelizave mashkullore dhe femërore. Këto janë qeliza të specializuara për shtimin e gjallesave dhe në gjuhën shkencore quhen gamete. Vezët janë gametet femërore ndërsa spermatozoidet janë gametet mashkullore. Këto dy qeliza bashkohen me njëra tjetrën për të dhënë pasardhës. Në gjuhën shkencore ngjizja quhet fekondim. Ngjizja kryhet në disa mënyra, në varësi të gjallesave.
Tek disa kafshë ngjizja ndodh brenda trupit të gjallesës femër. Kjo ngjizje quhet e brendshme. Gjallesat çiftëzohen dhe në gypat (trakti) riprodhues të femrës vendosen spermatozoidet. Tek disa kafshë vendosja e spermës (spermatoforeve) nuk bëhet tek gypat riprodhues të femrës në brendësi të trupit por tek një gyp fare pranë sipërfaqes të quajtur kloaka.
Vezë të lëshuara në ujë që janë ngjizur në mjedis të hapur
Tek disa kafshë ngjizja ndodh jashtë trupit, në mjedise të ndryshme, si për shembull në mjedise ujore. Vezët grumbullohet në një vend të caktuar dhe mbahen pranë njëra tjetrës nëpërmjet një lënde ngjitëse. Atje afrohet mashkulli dhe lëshon spermatozoidet e veta, në mënyrë që të kryhet ngjizja. Kjo mënyrë ngjizjeje shmang ngjitjen e sëmundjeve nga njëra gjallesë tek tjetra, si dhe ndihmon zhvillimin e shumëllojshmërisë gjenetike gjenetike (diversitet).
Tek bimët ngjizja kryhet nëpërmjet zhvendosjes së lirë të farave të polenit, të cilat bartin gamete mashkullore. Në gjuhën shkencore kjo dukuri quhet pjalmim dhe kryhet në dy mënyra: pjalmim me ndihmën e bartëseve (vektorëve) dhe pjalmim me ndihmën e erës.
Në rastin e parë, bartës të llojeve të ndryshme, si për shembull bletët, e përhapin polenin duke fluturuar sa në një lule në tjetrën. Farat e polenit kapen pas trupit të bletës dhe udhëtojnë drejt organit femëror (ovulës) të së njëjtës bimë ose të një bime tjetër, ku më pas depërtojnë në brendësi të tij për të ngjizur vezën. Në gjuhën shkencore ky quhet fekondim dytësor.
Në rastin e dytë, farat e polenit i merr era dhe i përhap në të gjitha drejtimet. Disa prej këtyre farave arrijnë të ulen tek organi femëror (ovula) i bimës për të vazhduar më tej veprimin e ngjizjes.
Rrugëtim jetësor i qelizës quhet jeta dhe veprimtaria e një qelize që nga momenti që krijohet deri në momentin që shumëfishohet. Kjo dukuri në gjuhën shkencore quhet cikli qelizor. Rrugëtimi jetësor i qelizës ndodh në dy etapa kryesore dhe disa nën etapa.
Etapa e parë kryesore quhet periudha e ndërmjetme. Kjo dukuri në gjuhën shkencore quhet faza e ndërmjetme ose interfaza. Gjatë kësaj etape qeliza rritet, shumëfishon molekulën e ADN-së dhe përgatitet për ndarje në dysh. Ajo është e ndarë në tre nën etapa:
Etapa e parë quhet G1 dhe gjatë kësaj kohe krijohen dhe rriten organelet.
Etapa e dytë quhet S dhe gjatë kësaj kohe ndodh shumëfishimi i ADN-së.
Etapa e tretë quhet G2 dhe gjatë kësaj kohe qeliza vazhdon të rritet më tej dhe të ndërtojë më shumë proteina.
Etapa e dytë kryesore quhet periudha miotike, ose në gjuhën shkencore faza miotike (M). Gjatë kësaj etape qeliza ndahet në dy qeliza të reja, të cilat quhen qeliza bija. Kjo dukuri është e ndarë në dy nën etapa:
Etapa e parë quhet mitozë. Gjatë kësaj kohe bërthama brenda qelizës ndahet në dysh dhe çdo bërthamë e re pajiset me një ngarkesë të plotë kromozomesh.
Etapa e dytë quhet citokinezë. Gjatë kësaj kohe ndahet në dysh citoplazma (mjedisi i brendshëm qelizor), duke krijuar kështu dy qeliza krejt të reja.
Mitoza është dukuria e ndarjes së qelizës në dysh dhe krijimi i dy qelizave të reja bija binjake menjëherë pas interfazës. Mitoza zhvillohet në katër etapa (faza):
Në etapën e parë kromozomet marrin trajtën e plotë përfundimtare dhe bërthama shpërbëhet. Në gjuhën shkencore kjo quhet profaza.
Në etapën e dytë kromozomet rreshtohen në qendër të qelizës. Në gjuhën shkencore kjo quhet metafaza.
Në etapën e tretë kromatidet (gjysma e ngrehinës së një kromozomi) ndahen dhe zhvendosen në skaje të kundërta. Në gjuhën shkencore kjo quhet anafaza.
Në etapën e katërt përreth kromatideve të reja krijohen bërthama të reja. Në gjuhën shkencore kjo quhet telofaza.
Meiozë quhe dukuria e përsëritjes së ADN-së në qelizë një herë por ndarja bëhet dy herë. Kështu nga një qelizë dalin katër qeliza të reja, secila me nga një gjysmë kromozomi. Meizoa është e rëndësishme për ndërtimin e qelizave të çiftëzimit (gametet), që janë vezët tek femrat dhe spermatozoidët tek meshkujt.
Meioza zhvillohet në dy etapa kryesore, meioza 1 dhe 2, dhe disa nën-etapa:
Në etapën e parë të meiozës 1 kromozomet marrin trajtën e plotë përfundimtare, çiftohen (sinapsis) dhe ndonjëherë shkëmbejnë material gjenetik. Në gjuhën shkencore kjo quhet profaza.
Në etapën e dytë çiftet e binjakëzuar rreshtohen përkrah njëri-tjetrit në qendër të qelizës. Në gjuhën shkencore kjo quhet metafaza.
Në etapën e tretë kromozomet ndahen dhe zhvendosen në kah të kundërt me njëri tjetrin. Në gjuhën shkencore kjo quhet anafaza.
Në etapën e katërt fillojnë të krijohen lëvore bërthamore për secilën bashkësi kromozomesh dhe qeliza ndahet në dy qeliza të tjera bija (haploide). Në gjuhën shkencore kjo quhet telofaza.
Meioza 2 është e ngjashme me meiozën 1 por këtu bëhet një ndarje e mëtejshme e dy qelizave bija (haploideve). Po njësoj si në meizoën 1, edhe në këtë rast kemi tre etapa: profazë, metafazë, anafazë dhe telofazë. Në përfundim të meiozës 2 nuk kemi më vetëm dy qeliza bijë por katër të tilla.