Acidet, bazat dhe pehashi (pH) janë pjesë e së njëjtës dukuri. Kjo dukuri varet nga përqendrimi i molekulave të acidit dhe të bazës në të dyja anët e lëvores (membranës plazmatike) së qelizës. Nëse në një mjedis ka më shumë acide, atëherë kemi mjedis acidik. Nëse në një mjedis ka më shumë molekula bazë, atëherë kemi një mjedis bazik. Nëse sasia e molekulave acide dhe bazike është e baraspeshuar, atëherë kemi një mjedis neutral.
Kjo dukuri mund të krahasohet me numrin e lojtarëve në fushë, nga këndvështrimi ynë. Nëse kundërshtari ka më shumë lojtarë, atëherë mund të themi që fusha e lojës është acidike. Nëse kundërshtari ka më pak lojtarë, atëherë mund të themi që fusha e lojës është bazike. Nëse numri i lojtarëve është i barabartë, atëherë fusha e lojës është neutrale.
Acidet janë molekula që luajnë rol të rëndësishëm në veprimtarinë e qelizave. Në trupin e njeriut gjejmë disa lloje acidesh, që nga ADN-ja, molekula që përmban udhëzimet dhe të dhënat për detyrat e qelizës e deri tek acidet e stomakut. Përgjithësisht acidet kanë aftësi të shpërbëjnë lëndët e tjera dhe t’i ndajnë ato në pjesë më të vogla. Acidet në mjedisin qelizor shërbejnë për këto detyra:
Acidet ndihmojnë punën e enzimave, proteinave (molekula) që shpejtojnë bashkëveprimet (reaksionet) kimike në qelizë, për shkak se enzimat veprojnë më mirë në mjedis acidik. Qelizat vjellin vazhdimisht acide për ruajtur një pH (pehash-shkalla e aciditetit) të caktuar, të përshtatshëm për veprimtarinë e enzimave.
Aminoacidet janë molekula me të cilat ndërtohen proteinat që shfrytëzon qeliza për kryerjen e detyrave të ndryshme qelizore. Qeliza ndërton proteina nga më të ndryshmet (deri në 10,000 lloje) duke shpërbërë disa proteina e duke ndërtuar të tjera me pjesë e të parave, sipas nevojës. Acidet ndihmojnë në shpërbërjen e këtyre proteinave.
Disa lëndë ushqyese përthithen më mirë në mjedis acidik.
Vetë molekula e ADN-së është molekulë acidike. Por në këtë rast ndërtimi i molekulave acide në ADN-në bën të mundur që ajo të marrë formën e saj të përdredhur.
Ndonëse acidet janë të domosdoshme për veprimtarinë e qelizave, ato mund të bëhen të dëmshme, për shkak të veprimit të tyre shpërbërës, dhe t’i dëmtojnë ato. Prandaj, si kundërveprim ndaj veprimit të acideve qeliza shfrytëzon vetitë e lëndëve të jo acide, që në gjuhën shkencore quhen baza. Bazat kanë aftësinë të asgjësojnë veprimin shpërbërës të acideve. Në këtë mënyrë mjedisi i brendshëm i qelizës bëhet i qëndrueshëm. Kjo dukuri mund të krahasohet me ujin e çezmës së dushit. Kur hapim çezmën, uji mund të jetë shumë i ftohtë (bazik) ose shumë i nxehtë (acid). Për të përftuar ujë me ngrohtësi të pranueshme për trupin, ne përpiqemi të baraspeshojmë sasinë e ujit të ftohtë me sasinë e ujit të ngrohtë duke lëvizur levën e çezmës sa majtas djathtas. Ky baraspeshim krijon një mjedis të përshtatshëm për t’u larë pa pësuar dëmtime në lëkurë.
Disa lloj enzimash punojnë më mirë në mjedis jo acid, ose e thënë ndryshe, në mjedis bazik. Ky mjedis krijohet me ndihmën e bazave. Gjatë bashkëveprimit kimik për çlirimin e fuqisë (energjisë) molekulat e bazave ndihmojnë në largimin e molekulave të tepërta të acideve, në mënyrë që çdo gjë që punojë siç duhet. Molekulat e bazave janë pjesë përbërëse të ADN-së dhe ARN-së, molekulat që përmbajnë të dhënat dhe udhëzimet e trashëgimisë (gjenetike) në qelizë.
E thënë me fjalë të thjeshta, pehashi është shkalla e aciditetit në një mjedis të caktuar. Sa më shumë acide të përmbajë mjedisi, aq më e ulët është shkalla e pehashit, e detyrimisht edhe aftësia shpërbërëse, dhe anasjelltas. Nëse përdorim shembullin e mësipërm të ujit të dushit për baraspeshimin e veprimit të acideve dhe bazave, atëherë do të thoshim se uji i dushit me ngrohtësi të pranueshme nga trupi i njeriut është i barasvlefshëm me pehashin e baraspeshuar në mjedisin qelizor.
Ruajtja e një baraspeshe të caktuar pehashi ndikon në veprimtarinë e disa enzimave; në veprimtarinë e lëvores së qelizës (membranës) pasi përcakton aftësinë e saj për të bartur lëndët nga njëra anë e mjedisit të jashtëm në atë të brendshëm dhe anasjelltas; në zhvillimin e disa bashkëveprimeve kimike (metabolike); dhe mbarëvajtjen e bashkëveprimeve kimike që çlirojnë fuqi.
Ndarja e qelizës eukariote në mjedise të veçanta nëpërmjet lëvoreve dhe cipave të organeleve bën të mundur që secili mjedis të ketë pehashin e vet të veçantë, pa u ndikuar nga pehashi i mjediseve të tjera. Për shembull aciditeti në mjedisin e citoplazmës është i ndryshëm nga aciditeti në mjedisin e mitokondrive, etj. Në këtë mënyrë në çdo mjedis mund të kryhen punë dhe detyra nga më të ndryshmet, të cilat nuk do të mund të kryheshin nëse pehashi do të kish qenë gjithandej njësoj.
Paraqitje e vizatuar e shkallës së pehashit. Sa më e ulët shkalla e pehashit, aq më acidik është mjedisi. Sa më e lartë shkalla, aq më bazik bëhet ai. Shkalla 7 është e ndërmjetme dhe nuk është as acidike as bazike.