Sistemin nervor mund ta përfytyrojmë si një rrjet të ndërlikuar fijesh nervore, të cilat bëjnë të mundur çdo veprim, ndërveprim e kundërveprim që trupi ynë bën si përgjigje ndaj nxitësve që ndodhen në mjedisin ku jetojmë. Sistemi nervor ka për detyrë të mbikqyrë veprimtarinë e çdo organi, që nga frymëmarrja dhe rrahja e zemrës e deri tek mendimet, kujtesa dhe ndjenjat. Sistemi nervor është i ndarë në dy pjesë kryesore: sistemi nervor qendror (SNQ), në të cilin përfshihen truri dhe palca kurrizore dhe sistemi nervor periferik (i skajshëm) (SNP), në të cilin përfshihen i gjithë rjeti nervor që degëzohet prej SNQ në pjesën tjetër të trupit. Duke kuptuar sistemin nervor, arrijmë të kuptojmë edhe mënyrën se si njerëzit kryejnë detyrat e përditshme.
Truri është qendra e mbikëqyrjes së veprimtarisë së gjithë trupit. Ai gjendet i mbyllur dhe i mbrojtur brenda kafkës. Truri përpunon të dhënat që vijnë nga shqisat, mbikëqyr veprimtarinë e muskujve dhe të veprimtarive të tjera njohëse si mendimi, kujtimet (memorien) dhe ndjenjat. Truri është i ndarë në disa pjesë, secila përgjegjëse për një veprimtari. Për shembull një pjesë e quajtur cerebrumi ka për detyrë mbikëqyrjen e veprimeve të një shkalle më të ndërlikuar si arsyetimi dhe lëvizjet e vullnetshme, një pjesë tjetër i quajtur cerebelum është përgjegjëse për bashkërendimin e lëvizjeve dhe drejtpeshimin e trupit, ndërsa pjesa e quajtur trungu i trurit është përgjegjëse për veprimet e pavullnetshme si frymëkëmbimi dhe rrahjet e zemrës.
Truri i madh në gjuhën shkencore quhet cerebrum dhe zë vëllimin më të madh të trurit. Ai është i ndarë në dy pjesë kryesore, që në gjuhën shkencore quhen gjysmësfera, dhe në katër vriguj më të vegjël, që në gjuhën shkencore quhen lobe; lobi frontal, lobi parietal, lobi oksipital dhe lobi temporal. Lobi frontal, ai që gjendet në pjesën e përparme, është përgjegjës për arsyen, planifikimin dhe lëvizjet e vullnetshme. Lobi parietal, ai që zë pjesën e mesme, është përgjegjës për përpunimin e të dhënave shqisore si prekja dhe gjetja e drejtimit në hapësirë. Lobi temporal, ai që zë pjesën e poshtme, është përgjegjës për dëgjimin, kujtesën dhe të folurit. Lobi oksipital, ai që zë pjesën e pasme, është kryesisht përgjegjës për shikimin.
Truri i vogël në gjuhën shkencore quhet cerebelum dhe gjendet në anën e pasme të trurit. Ai ka për detyrë të mbikqyrë lëvizjet e të gjitha organeve muskulore që kanë inde nervore. Ai mbikqyr si lëvizjet e vullnetshme, si për shembull muskujt e krahut, ashtu edhe ato të pavullnetshme si për shembull kundërveprimet e pa ndërgjegjshme (reflekset), etj. Truri i vogël nuk është përgjegjës për fillimin e lëvizjes, por ndihmon nëpërmjet bashkërendimit të lëvizjeve, saktësisë së tyre dhe kryerjen e lëvizjeve në kohën e duhur. Truri i vogël merr të dhëna nga rrjeti nervor, palca kurrizore dhe truri i madh dhe i përdor ato për të saktësuar lëvizjet. Në këtë mënyrë ne arrijmë të ruajmë drejtpeshimin, qëndrimin dhe të kryejmë veprime të bashkërenduara.
Trungu i trurit shërben si urë lidhëse mes trurit dhe palcës kurrizore, si dhe kryen detyra të rëndësishme jetësore. Në të përfshihet truri i mesëm, arrçi dhe medulla e zgjatur. Trungu është përgjegjës për veprimtarinë e pavullnetshme si rrahjet e zemrës, frymëkëmbimi dhe tretja. Trungu luan rol edhe në mbarëvajtjen e ciklit të gjumit ose veprimeve të pandërgjegjshme si gëlltitja dhe kollitja.
Palca kurrizore është një kërcell i gjatë rrethor që zgjatet nga truri, tëposhtë shtyllës kurrizore. Ajo shërben si linjë shkëmbimi (komunikimi) nëpër të cilën venë e vinë lajme, të dhëna e udhëzime nga të katër anët e trupit. Palca kurrizore mbikqyr gjithashtu edhe veprime të thjeshta të pandërgjegjshme që nuk kanë nevojë për pjesmarrjen e trurit, si për shembull largimi i dorës nga një sipërfaqe e nxehtë. Palca kurrizore shkon tejpërtej rruazave të shtyllës kurrizore dhe është e rrethuar me një lëng që e ushqen dhe që zbut pasojat e lëvizjeve të forta e të befta. Në gjuhën shkencore ky quhet lëngu cerebrospinal.
Tërësia e të gjitha degëzimeve nervore që dalin prej palcës kurrizore është rrjeti i nervave fundorë. Në gjuhën shkencore ky rrjet quhet sistemi nervor periferik. Rrjeti i nervave fundorë lidh trurin dhe palcën kurrizore me gjymtyrët dhe organet e tjera të trupit. Sistemi nervor periferik është i ndarë në dy pjesë: somatik dhe automatik.
Sistemi nervor somatik quhet tërësia e nervave që mbikqyrin veprimet e vullnetshme, si për shembull ngritja e peshave, ecja, të shkruarit apo të folurit, që kryhen me ndihmën e muskujve të skeletit. Në këtë sistem përfshihen edhe nervat e ndjeshmërisë.
Nervat e lëvizjes përcjellin udhëzime nga sistemi nervor qendror drejt muskujve dhe gjëndrave. Këto nerva janë përgjegjëse për veprimet e vullnetshme si për shembull ecja ose shkrimi. Ato mbikëqyrin edhe veprimtarinë e veprimeve të pavullnetshme, si për shembull tkurrjet e muskujve të zemrës apo lëvizjet e sistemit të tretjes së ushqimit.
Nervat e ndjeshmërisë marrin të dhëna nga lëkura, muskujt e organet dhe i përcjellin ato drejt sistemit nervor qendror. Veprimtaria e këtyre nervave përfshin ndjesinë e prekjes, temperaturës, dhimbjes dhe trysnisë. Pjesa fundore e nervave në gjuhën shkencore quhet receptor dhe me ndihmën e tyre ne arrijmë të kuptojmë e të kundërveprojmë ndaj nxitjeve të mjedisit që na rrethon. Për shembull, kur prekim një send të nxehtë, nervat e ndjeshmërisë e dërgojnë këtë të dhënë tek truri, i cili pasi e përpunon atë dërgon një udhëzim për ta larguar dorën nga nxehtësia.
Sistemi automatik mbikqyr veprimet e pavullnetshme në trupin e njeriut, si për shembull rrahjet e zemrës, tretjen e ushqimit dhe frymëkëmbimin. Sistemi është i ndarë në dy nën sisteme: sistemi simpatik dhe parasimtapatik. Sistemi simpatik ka për detyrë ta fusë trupin në gjendje gatishmërie duke rritur rrahjet e zemrës dhe skallën e fuqisë në rast rreziku. Sistemi parasimpatik ka për detyrë ta fusë trupin në gjendje prehjeje dhe qetësie duke ruajtur fuqinë, duke ulur rrahjet e zemrës dhe duke ndihmuar trejtjen e ushqimit.
Nervat janë bashkësi indesh qelizore që në gjuhën shkencore quhen neurone. Përveç lëvores, citoplazmës, organeleve dhe bërthamës, neuronet kanë edhe disa krahë të vegjël nëpërmjet të cilëve përcjellin të dhënat e udhëzime, që në gjuhën shkencore quhen dendrite, ka edhe një zgjatim si bisht që ka për detyrë përcjelljen e ngarkesës tek neuronet e tjera ngjitur e që në gjuhën shkencore quhet akson. Përcjellja e të dhënave dhe udhëzimeve kryhet si nëpërmjet ngarkesave elektrike ashtu edhe nëpërmjet nxitësve kimikë. Në gjuhën shkencore ngarkesat elektrike quhen impulse elektrike. Nëpërmjet këtyre impulseve elektrike truri merr të dhëna nga shqisat dhe dërgon udhëzimet për lëvizjet që duhet të kryhen.
Neuronet nuk janë të lidhura me njëra tjetrën siç mund të kapen njerëzit për dore dhe ngarkesat elektrike nuk udhëtojnë nga njëri neuron tek tjetri si treni në shina. Mes aksonit të njërit neuron dhe dendriteve të neuronit tjetër ka një hapësirë në të cilën ndodhin bashkëveprime kimike. Në gjuhën shkencore kjo hapësirë quhet sinaps. Kur ngarkesa elektrike mbërrin në zgjatimet fundore të aksonit, ajo shkakton çlirimin e një lënde kimike që në gjuhën shkencore quhet neurotrasmetues. Kjo lëndë kapërcen sinapsin si një varkë që ka kapërcen lumin dhe me tu hedhur në anën tjetër shkakton nxitjen e një ngarkese tjetër elektrike tek neuroni ngjitur duke vazhduar kështu përcjelljen e saj drejt trurit.