Bimët thithin lëndë ushqyese nëpërmjet rrënjëve të ngulura në tokë. Lëndët ushqyese janë të rëndësishme sepse ndihmojnë kryerjen e detyrave jetësore dhe e mbajnë bimën të shëndetshme. Lëndët ushqyese ndahen në dy lloje: lëndët që nevojiten në sasi më të mëdha (makronutrientët) dhe lëndët që nevojiten në sasi më të vogla (mikronutrientët).
Lëndët që nevojiten në sasi të mëdha janë nitrogjeni (N), fosfori (P) dhe kaliumi (K). Shkurt NPK. Nitrogjeni ndihmon rritjen e gjetheve dhe kërcellit. Fosfori ndihmon zhvillimin e rrënjëve dhe shkëmbimin e fuqisë. Kaliumi ndihmon drejtpeshimin e sasisë së ujit dhe qarkullimin e lëndëve ushqyese në bimë. Lëndë të tjera ushqyese janë kalciumi (Ca), magnezi (Mg) dhe sulfuri (S)
Lëndët që nevojiten në sasi më të vogla janë hekuri (Fe), manganezi (Mn), zinku (Zn), bakri (Cu), molibdeni (Mo) dhe boroni (Bo). Secila nga këto lëndë ka një detyrë të caktuar. Për shembull hekuri shfrytëzohet nga bima për krijimin e klorofilit, ndërsa zinku përdoret gjatë nxitjes së veprimtarisë së enzimave dhe drejtpeshimin e veprimtarisë së hormoneve.
Bimët thithin lëndët ushqyese në trajtë jonesh, si për shembull nitrate (NO3-), fosfate (PO4^3-) dhe jone kaliumi (K+). Dukuria e përthithjes së lëndëve nga bima bëhet e mundur të sajë të aftësisë së dheut për të mbajtur dhe shkëmbyer jone me ngarkesë pozitive (katione). Në gjuhën shkencore kjo quhet Aftësia Shkëmbyese e Kationeve, shkurt ASHK. Sa më e lartë shkalla e ASHK-së, aq më e lartë aftësia e dheut për të plotësuar nevojën e bimës për lëndë ushqyese.
Bimët thithin ujin e tokës nëpërmjet rrënjëve. Rrënjët janë të pajisura me qime të holla që rrisin aftësinë thithëse. Gjatë thithjes molekulat e ujit kalojnë nga një mjedis me përqëndrim të lartë uji (dheu) në një mjedis me përqendrim të ulët uji (qelizat e rrënjëve). Kjo dukuri quhet ozmozë. Me të hyrë në mjedisin e rrënjëve, molekulat e ujit kalojnë nëpër shtresa të ndryshme qelizore, deri sa mbërrijnë tek ksilemat, rrjeti enëzor që bart ujin në të gjitha pjesët e bimës, kërcelli, gjethet, lulet, etj.
Thithja e lëndëve ushqyese si nitrogjeni, fosfori dhe kaliumi kryhet gjithashtu nëpërmjet rrënjëve dhe qimeve. Këto lëndë gjenden të tretura në ujë dhe hyjnë në mjedisin qelizor të bimës në disa mënyra, të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, si për shembull përhapja (difuzioni), përhapja e ndihmuar (difuzioni i asistuar), pompa natrium-kalium dhe shkëmbimi i ndërsjellë (ko-transport). Ozmoza kërkon fuqi sepse molekulat kalojnë nga një mjedis në tjetrin me ndihmën e proteinave, veprimtaria e të cilave gjithashtu kërkon fuqi. Njësoj si uji, me të hyrë në rrënjë, lëndët kalojnë gjithashtu nëpërmjet shtresave qelizore të rrënjëve derisa mbërrijnë tek gypthat e ksilemave.
Dheu është një shtresë të hollë në sipërfaqen e kores së tokës dhe shërben si mjedis i përshtatshëm për rritjen e bimëve. Dheu është një përzierje mineralesh, lëndësh organike, uji dhe ajri dhe është krijuar përgjatë qindra miliona vjetëve, nga shpërbërja e shkëmbinjve. Dheu përbëhet nga grimca të madhësive të ndryshme si rëra, lymi dhe argjila. Vendosja dhe shpërndarja e grimcave të dheut në trajtë grimcash të veçuara ose të bashkuara në plisa përcakton ndërtimin e dheut. Në gjuhën shkencore kjo dukuri quhet struktura e dheut. Kur dheu ka ndërtim të përshtatshëm, ai lejon ajrosjen dhe kullimin e mirë të ujërave, dukuri këto që ndikojnë tek shëndeti i rrënjëve. Dheu shumë i ngjeshur nuk lejon qarkullimin e lirë të oksigjenit e për pasojë pengon rritjen e rrënjëve dhe zhvillimin e bimës.
Lëndët organike të dheut vijnë nga kalbëzimi i mbeturinave bimore e shtazore. Ato rrisin pjellorinë e dheut sepse përmirësojnë cilësinë e tij, aftësinë për të ruajtur ujin dhe përmbajtjen e lëndëve ushqyese. Në gjuhën shkencore bashkësia e të gjitha lëndëve organike të pranishme në dhe quhet humus.
Dheu përbëhet prej katër shtresash të veçanta, secila me përbërje dhe veti të ndryshme. Në gjuhën shkencore këto shtresa quhen horizonte.
Shtresa e sipërme (horizonti O) është e pasur me lëndë ushqyese organike.
Shtresa e dytë (horizonti A) është shtresa më pjellore e dheut. Ajo është e pasur si me lëndë organike ashtu edhe me minerale.
Shtresa e tretë (horizonti B) përmban minerale që kanë kulluar nga shtresa e sipërme dhe më pak lëndë organike.
Shtresa e katërt (horizonti C) është shtresa fillestare prej shkëmbi të gërryer me lëndën e të cilit janë krijuar shtresat e sipërme.
Shtresa e fundit (horizonti R) është shtrati shkëmbor i kores së tokës.
Pehashi (pH) i dheut, pra shkalla e aciditetit ose alkalinitetit, ndikon në praninë e lëndëve ushqyese. Shumica e bimëve kanë nevojë për mjedis që ndryshon nga paksa acid në asnjëanës (pH neutral 6-7). Ndërkohë, disa bimë të tjera i janë përshtatur mjediseve tepër acide ose tepër alkaline. Shkalla e pH dheut, e rrjedhimisht aftësia ushqyese e tij, mund të ndryshohet duke i shtuar gëlqere (për të rritur pH) ose sulfur (për të ulur pH).
Shëndeti i dheut mund të mirëmbahet duke ndryshuar herë pas here llojin e të korrave, duke mbjellë bimë jo bujqësore që pasurojnë pjellorinë apo duke shtuar pleh organik (komposto, shkarpa druri, etj). Kështu dheu qëndron pjellor për një kohë më të gjatë, pa rrezikuar të kthehet në mjedis shterp, si dhe ruan mjedisin e shëndetshëm.