Sistemi muskuloskeletal përfshin eshtrat (kockat), muskujt dhe indet lidhëse. Së bashku këto punojnë për ta mbajtur trupin të përmbledhur rreth një boshti qendror, bëjnë të mundur lëvizjen dhe mbrojnë organet jetësore.
Eshtrat janë bashkësi indesh të ngurta me pamje dhe përmasa të ndryshme. Të gjitha eshtrat e trupit përbëjnë skeletin, ngrehina që shërben si shtyllë mbështeteje për të gjitha organet e tjera. Trupi i njeriut ka 206 eshtra, përfshi kafkën, shtyllën kurrizore, krahët dhe këmbët. Një detyrë e rëndësishme e eshtrave është edhe krijimi i qelizave të gjakut.
Eshtrat kanë dy lloj përbërjesh: pjesën e jashtme që shërben si zhguall, e cila është e ngjeshur dhe paksa e lëmuar, dhe pjesën e brendshme që është mjaft e rrallë dhe me hapësira të zbrazëta të mëdha. Në gjuhën shkencore zhgualli i jashtëm quhet kocka kompakte, ndërsa pjesa e brendshme quhet kocka sfungjer. Pjesa e ngjeshur e ashtit ka gypa mikroskopikë nëpër të cilët kalojnë enët e gjakut dhe indet nervore. Pjesën e brendshme të rrallë të ashtit e gjejmë kryesisht tek eshtrat e gjata të gjymtyrëve dhe të kafazit të eshtrave. Hapësirat e mëdha të pjesës së brendshme janë të mbushura me palcë eshtërore, një lëndë indore e butë në trajtë sfungjeri. Palcën eshtërore e gjejmë në dy lloje: palcë eshtërore e kuqe dhe e verdhë. Palca eshtërore e kuqe gjendet tek hapësirat e pjesës së brendshme. Atja krijohen rruazat e kuqe dhe të bardha dhe trombocite; ndërsa palcën eshtërore të verdhë e gjejmë në boshtin qendror të eshtrave të gjata. Atje ruhen yndyrna dhe furnizime me fuqi.
Ashti ësht i veshur nga jashtë me një cipë të trashë mbrojtëse, në të cilën gjenden enë gjaku, inde nervore dhe qeliza që ndihmojnë rritjen dhe ndreqjet. Në gjuhën shkencore kjo cipë quhet periosteum. Ndërsa në brendësi, përreth palcës eshtërore ka një cipë tjetër që shërben si astar. Në gjuhën shkencore kjo cipë quhet endosteum.
Eshtrat kanë një mori pamjesh e detyrash. Disa janë gjatoshe, disa janë të rrafshëta, disa janë të rrumbullakosura, e kështu me radhë.
Eshtrat gjatoshe janë më të gjata se sa të gjera dhe në trupin e njeriut gjenden disa lloje të tilla si për shembull ashti i kofshës (femuri), ashti i krahut të (llëra) dhe fyelli i këmbës (tibia).
Eshtrat e shkurtra kanë gjatësi dhe gjerësi të njëjtë. Të tilla eshtra janë për shembull ato të kyçit të dorës (karpalet) dhe eshtrat e kyçit të këmbës (tarsalet).
Eshtrat e rrafshta janë përgjithësisht të gjera me qëllim që të mbrojnë pjesët përkatëse të trupit. Për shembull të tilla eshtra janë kafka, brinjët dhe dërrasa e kraharorit.
Eshtrat e çrregullta kanë pamje nga më të ndryshmet dhe nuk mund të renditen në një bashkësi të vetme. Për shembull të tilla eshtra janë unazat e të shtyllës kurrizore (vertebrat) dhe disa eshtra në fytyrë.
Eshtra susamike janë eshtra shumë të vogla e të rrumbullakëta dhe i gjejmë në brendësi të gilcës, një lëndë indore që shërben për të mbajtur të lidhur muskulin me ashtin. Këto quhen susamike sepse janë shumë të imëta dhe kanë formën e farave të susamit. Kupa e gjurit (patela) është ashti më i madh susamik.
Eshtrat ripërtëriten dhe ndërrojnë pamje vazhdimisht sepse ato ndryshojnë me moshën e njeriut. Inde të reja zëvendësojnë indet e vjetra. Në këtë veprimtari përfshihen një sërë qelizash. Një lloj qelizash ka për detyrë që të krijojë inde të reja eshtërore. Emërtimi shkencor i tyre është osteoblaste. Një lloj tjetër qelizash ka për detyrë që të shpërbëjë indet e vjetra eshtërore. Emërtimi shkencor i tyre është osteoklaste. Kur ashti pëson krisje ose thyerje, trupi fillon menjëherë veprimtarinë ndreqëse e ripërtëritëse.
Në fillim mpikset gjaku në pjesën ku është shkaktuar dëmtimi. Emërtimi shkencor i kësaj dukurie është hematomë. Ajo shoqërohet zakonisht me fryrje të indeve muskulore dhe nxirje të lëkurës në sipërfaqe.
Në vendin ku është krijuar krisja ose thyerja krijohen menjëherë inde lidhëse prej kolagjeni dhe kërci, të cilat kanë për detyrë të mbyshin çarjet dhe të ndreqin dëmtimin. Emërtimi shkencor i kësaj dukurie është formimi i kalusit fibrokartilagjinoz. Ndërkohë krijohen edhe ura lidhëse prej ashti që në gjuhën shkencore quhen trabekulat e ashtit sfungjeror.
Pastaj sasia e lëndës së krijuar prej indeve lidhëse zëvendësohet me një sasi tjetër lënde prej ashti të rrallë. Emërtimi shkencor i kësaj dukurie është formimi i kalusit prej ashti sfungjeror.
Me kalimin e kohës sasia e lëndës ndreqëse që fillimisht ka pamjen e një gunge fillon të marrë pamjen e zakonshme të ashtit.
Njeriu është në gjendje të lëvizë vetëm falë muskujve. Nëse muskujt nuk do të punonin, atëherë njeriu nuk do të lëvizte dot. Mungesa e aftësisë për të lëvizur në gjuhën shkencore quhet paralizë. Pothuajse të gjitha organet e trupit të njeriut arrijnë të kryejnë detyrat e tyre në sajë të muskujve. Muskujt përbëhen prej indeve që kanë vetëm një detyrë, të tkurren ose të lëshohen. Trupi i njeriut ka gjithsej 600 muskuj.
Muskujt që shërbejnë për lëvizjen e gjymtyrëve, si këmbët, krahët dhe duart quhen në gjuhën shkencore muskujt e skeletit. Me ndihmën e tyre njerëzit mund të kryejnë shumë veprime, të ecin, të ngrenë pesha, të shkruajnë, të luajnë sporte, etj. Këto janë veprime të vullnetshme, sepse ne i kryejmë ato sipas dëshirës.
Muskujt që shërbejnë pë kryerjen e detyrave të pavullnetshme, si për shembull tretja e ushqimit, të cilat gjenden tek stomaku, zorrët, etj, në gjuhën shkencore quhen muskujt e lëmuar. Muskul që shërben për kryerjen e veprimeve të pavullnetshme është edhe ai i zemës. Në gjuhën shkencore quhet muskuli kardiak.
Pikat ku dy eshtra takohen me njëra tjetrën quhen nyje. Nyjet e gjymtyrëve ose kyçet, përbëhen prej një numri eshtrash. Bashkërisht ato bëjnë të mundur që gjymtyrët të kenë një liri shumë të madhe lëvizjeje në hapësirë. Në gjuhën shkencore ato quhen nyje sinoviale. Ka disa lloje nyjesh sinoviale:
nyjet rrumbullake, që lejojnë lëvizje rrotulluese me kënd të gjerë dhe që i gjejmë tek shaptullat dhe tek legeni;
nyjet menteshë, që lejojnë lëvizje vetëm në një drejtim, njësoj si mentesha e derës, dhe që i gjejmë tek gjunjtë dhe bërrylat;
nyjet bosht, që lejojnë lëvizje në një bosht të vetëm, për shembull rrotullimin sa majtas-djathtas të kokës, dhe që i gjejmë tek vertebra e parë dhe e dytë e qafës (zverkut);
nyjet kondiloide (elipsoiadale), që lejojnë lëvizje por jo rrotullim dhe që i gjejmë tek kyçi i dorës;
nyjet shalë, që lejojnë lëvizjen në disa drejtime dhe që i gjejmë tek gishti i madh i dorës;
unazat rrëshqitëse, që lejojnë rrëshqitjen mes dy eshtrave dhe që i gjejmë tek eshtrat e vogla të kyçeve të duarve dhe të këmbëve (tek kaviljet).
Por ka edhe nyje që lejojnë pak ose aspak lëvizje. Nyjet prej kërci të unazave të shtyllës kurrizore lejojnë lëvizje të kufizuar. Në gjuhën shkencore ato quhen nyje kërcore. Ndërsa nyjet e kafkës nuk lejojnë aspak lëvizje por janë krejt të ngurta. Në gjuhën shkencore ato quhen nyje fibroze.
Nyjet kanë një ndërtim mjaft të ndërlikuar dhe kanë disa pjesë përbërëse.
Anët fundore të eshtrave që bashkohen tek nyjet janë të veshura me një lëndë me përbërje indore të butë, të lëmuar që në gjuhën shkencore quhet kërci artikular. Kërci shërben si shtresë zbutëse dhe ka për detyrë të parandalojë fërkimin dhe gërryerjen e eshtrave me njëra-tjetrën. Nga jashtë nyjet janë të veshura me një cipë të trashë e të fortë mbështjellëse me përbërje të indeve fijëzore (me shumë fije) që mbron nyjen dhe ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë. Emërtimi shkencor i kësaj cipe është kapsula. Sipërfaqja e brendshme e kapsulës është e veshur me astar të hollë që në gjuhën shkencore quhet membrana sinoviale. Aty prodhohet lëngu sinovial, një lëng i trashë i rrëshqitshëm që shërben njëkohësisht edhe si vajosës edhe si ushqyes i kërceve. Lëngu sinovial kryen rolin e grasos.
Në jashtë nyjes eshtrat mbahen të lidhura me njëra tjetrën nëpërmejet tejzave, zgjatimeve të forta me përbërje të indeve fijëzore. Tejzat jo vetëm që ruajnë qëndrueshmërinë e nyjes por edhe kufizojnë drejtimin e lëvizjes së eshtrave në mënyrë që të shmangen dëmtimet. Emërtimi shkencor i tejzave është ligamente (njëjës ligament). Muskujt lidhen me eshtrat nëpërmjet gilcave, zgjatimeve të forta por të përkulshme që në gjuhën shkencore quhen tendina (njëjës tendinë). Kur muskujt tkurren, ato tërheqin gilcat, të cilat tërheqin eshtrat. Po ashtu përreth nyjeve gjenden edhe disa flluska me lëng që kanë gjithashtu për detyrë të mbrojnë kërcet dhe gilcat nga gërryerja si pasojë e fërkimit. Në gjuhën shkencore këto flluska quhen bursa.
Muskujt e skeletit mund të veprojnë vetëm në një drejtim, domethënë ato vetëm mund të tkurren ose të lëshohen. Prandaj dhe gjymtyrët janë të pajisura me një grup muskujsh, të cilët lejojnë hapjen dhe mbylljen e tyre. Disa muskuj kanë për detyrë mbylljen e gjymtyrëve, e disa muskuj kanë për detyrë hapjen e tyre.