Doracaku i Nxënësit është një nismë individuale dhe për momentin nuk gëzon mbështetjen e asnjë institucioni publik apo privat, asnjë organizate, asnjë sipërmarrjeje dhe asnjë grupimi njerëzish. Nisma është mbështetur kryekëput tek dëshira e autorit për t'u ardhur fëmijëve shqiptarë në ndihmë e për t'ua lehtësuar atyre sadopak jetën shkollore, si dhe të ndihmojë zhvillimin e arsyes e të aftësisë së gjykimit.
Qëllimi i kësaj nisme është i dyfishtë. Përveç qëllimit nevojtar të përhapjes në internet të dijeve shkencore shkollore në gjuhën shqipe, nisma ka për qëllim edhe të ndihmojë të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë jashtë atdheut të tyre (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veruit, Mali i Zi) të mësojnë e të praktikojnë gjuhën shqipe në trajtën e saj më të pastër të mundshme.
Për këtë arsye, në përshkrimin e dukurive natyrore të paraqitura në këto faqe është shmangur gjerësisht përdorimi i fjalëve të huazuara ndërkombëtare, si p.sh.: koncept, strukturë, konstrukt, instruksion, rezultat, formë, fenomen, barrierë, funksion, aktiv, seksion, studim, faktor, sektor, transferim, diversitet, masiv, mikroskopik, kategori, grup, kompleks e shumë, e shumë të tjera. Në këtë mënyrë teksa njihen me dukuritë e natyrës, fëmijët shqiptarë kanë mundësinë t'i mësojnë e t'i përvetësojnë ato në një gjuhë shqipe të "pa ndotur", krejt të thjeshtë për t'u kuptuar e për t'u lëvruar. Përsa u përket fjalëve të huazuara, ka plot kohë për t'i mësuar ato gjatë jetës studentore ose në mjedisin e punës.
Megjithatë, duke qenë që shkenca është një lëndë me përhapje botërore dhe plot e përplot me fjalë e emërtime në gjuhë të huaj, unë jam kujdesur që emërtimet shkencore të jepen e të jenë të pranishme përkrah përshkrimit në shqip për çdo dukuri. Ndërsa tek pamjet e vizatuara (fjala figurë është shmangur) dhe fotografitë janë shënuar vetëm emërtimet shkencore, në mënyrë që përvetësimi i tyre të mos përbëjë pengesë kur nxënësi të gjendet në mjedisin shkollor.
Për të ndihmuar më tej përvetësimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e nxënësit me dije më të plota, poshtë çdo përshkrimi do të vendoset edhe një fjalor etimologjik (tashmë vetëm tek kreu "Qeliza") në të cilin do të jepen kuptimet etimologjike të të gjitha emërtimeve shkencore. Ky fjalor është i thjeshtë, por tejet i dobishëm pasi i bën emërtimet shkencore të fjalëve të huaja më të kuptueshme për nxënësit shqiptarë. Jo vetëm kaq, por u lë atyre të kuptojnë se fjalët e "mëdha" e kanë prejardhjen nga fjalët e thjeshta, e të tilla gjuha shqipe ka plot.
Përmbajtja e këtyre faqeve nuk është e kopjuar apo e përkthyer nga ndonjë material i gatshëm por e përpunuar në gjuhën shqipe fjalë për fjalë, fjali për fjali e paragraf për paragraf nga vetë autori. Po ashtu edhe vizatimet. Një pjesë e mirë e punës është kryer tashmë. Por ka ende shumë punë për përpilimin e dijeve për lëndët e tjera shkencore. Nëse dikush ka dëshirën t'i bashkohet kësaj nisme i nxitur nga i njëjta dashuri për arsimin shqiptar dhe për përhapjen e gjuhës shqipe, është i mirëpritur. Dërgoni një e-mail në adresën ariesmp@gmail.com dhe bisedojmë për mundësitë e bashkëpunimit.
Pas kësaj nisme hëpërhë nuk ka asnjë përfitim financiar. Megjithatë kjo nuk përjashtohet që të ndodhë në të ardhmen. Nëse diçka e tillë ndodh, bashkëpunëtorëve do t'u njihet e drejta e autorit dhe do të shpërblehen një për një për punën e tyre, sipas parimit të shpërblimit të drejtë. Por qëllimi kryesor do të mbete gjithnjë përhapja e dijeve shkencore në gjuhën shqipe.
Me respekt
Ardi Kule