Trupi i njeriut është një tërësi ngrehinash që bashkëpunojnë dhe ndërveprojnë me njëra tjetrën në mënyrë që të gjitha së bashku ta mbajnë njeriun gjallë. Këto ngrehina në gjuhën shkencore quhen organe. Organet janë zemra, stomaku, zorrët, truri, lëkura, etj. Trupi i njeriut përmban plot 78 organe.
Pamje e vizatuar me prerje gjatësore e trupit të njeriut (femër) dhe organeve brenda tij. Trupi i njeriut përmban plot 78 organe.
Lënda me të cilën ndërtohen organet quhet në gjuhën shkencore inde. Indet janë bashkësi qelizash me detyra dhe veprimtari të njëjtë, të ndryshme nga qelizat e tjera. Bashkësi të ndryshme indesh ndërtojnë organe të ndryshme. Për shembull indet e zemrës kanë veti e veçori të ndryshme nga indet e stomakut, e kështu me radhë. Ka katër lloj indesh që ndërtojnë oganet:
inde që shërbejnë si mbulesa e sipërfaqe (indet epiteliale), si për shembull ato të lëkurës, të mukozës dhe të stomakut. Ato i gjejmë të ngjeshura ngushtë pas njëra tjetrës, në mënyrë që të krijojnë një sipërfaqe të vetme;
indet që shërbejnë si lëndë lidhëse (indet konektive), si për shembull tendinat. Ato i gjejmë në trajtë gjatoshe, si litar, në mënyrë që të lidhin dy pjesë trupore;
indet muskulore që mundësojnë lëvizjen, si për shembull ato të këmbëve apo të zemrës. Ato i gjejmë në trajta të ndryshme, por edhe këto janë të ngjeshura pas njëra tjetrës për të krijuar me qëllim të të krijojnë fijet e muskujve;
indet e ndërlidhjes nervore, që shkëmbejnë të dhëna e udhëzime (indet nervore), si për shembull ato të palcës kurrizore apo të trurit. Ato kanë krahë dhe bishta me anë të të cilave dërgojnë ngarkesat nga njëri skaj në tjetrin.
Kur disa organe veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me njëra tjetrën për të kryer detyra të rëndësishme, në gjuhën shkencore kjo dukuri quhet sistem organik. Sistemet mund të krahasohen me drejtoritë një institucion shtetëtor, ku secila drejtori ka për detyrë të mbikqyrë një numër veprimtarish. Kështu, për shembull zemra bashkë me enët e gjakut dhe vetë gjakun quhet në gjuhën shkencore sistemi i qarkullimit të gjakut. Trupi i njeriut ka gjithësej 13 sisteme organike:
Sistemi i frymëkëmbimit përfshin mushkëritë dhe rrugët e frymëkëmbimit. Ky sistem ka për detyrë të furnizojë gjakun me oksigjen dhe të largojë prej tij dioksidin e karbonit (CO2).
Aparati tretës përfshin gojën, ezofagun, stomakun dhe zorrët. Detyra e këtij sistemi është që të shpërbëjë ushqimet dhe të përthithë lëndët ushqyese.
Sistemi i qarkullimit të gjakut përfshin zemrën, enët e gjakut dhe gjakun. Ky sistem ka për detyrë të qarkullojë e të shpërndajë tek të gjitha organet lëndët ushqyese e gazrat dhe të largojë mbetjet nëpërmjet gjakut.
Sistemi urinar përfshin veshkat, legenin e veshkave, ureterët, fshikëzën e urinës dhe uretrën. Detyra e këtij sistemi është që të largojë mbetjet e gjakut dhe të mbajë në baraspeshë sasinë e ujit në trup.
Sistemi nervor përfshin trurin, palcën kurrizore dhe nervat. Ky sistem mbikqyr dhe mundëson të gjithë veprimtarinë e trupit.
Sistemi muskulor përfshin të gjithë muskujt e kapur pas kockave. Detyra e këtij sistemi është që të mundësojë qëndrueshmëri dhe lëvizje.
Sistemi endokrin përfshin gjendrat që prodhojnë hormone. Detyra e këtij sistemi është që të ndihmojë mbarëvajtjen e veprimtarisë së organeve nëpërmjet bashkëveprimeve kimike.
Sistemi i shumimit (riprodhimit) tek femrat përfshin vezoret, tubat fallopianë, mitrën, qafën e mitrës dhe vaginën. Tek meshkujt ai përfshin prostatën, testikujt dhe penisin. Detyra e këtij sistemi është që të shërbejë si mjet me anë të të cilit të njerëzit të mund të shumohen e të krijojnë pasardhës.
Sistemi imunitar përfshin palcën e kockave, timusin, nyjet dhe enët limfatike, shpretkën, bajamet, adenoidet, pjesët e Peyerit, shtojcën, lëkurën dhe mukozën. Detyra e këtij sistemi është që të mbrojë trupin nga sëmundjet ngjitëse dhe të gjitha gjallesat e dëmshme të padukshme me sy të lirë (mikroskopike).
Sistemi integumentar përfshin lëkurën, flokët dhe thonjtë. Detyra e këtij sistemi është që të shërbejë si mur mbrojtës dhe të mbrojë trupin nga bakteret, sëmundjet ngjitëse, dëmtimet dhe drita e diellit.
Sistemi pamor e dëgjimor përfshin sytë, veshët dhe trurin. Detyra e këtij sistemi është që të ndihmojë trurin të kuptojë dhe të ndërveprojë me mjedisin që e rrethon.
Homeostaza është aftësia e qënieve të gjalla për të ruajtur një gjendje të qëndrueshme të mjedisit të brendshëm të trupit të tyre pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në mjedisin e jashtëm, por njëkohësisht duke iu përshtatur kusheve rrethanore të mjedisit ku jetojnë. Këtë të vërtetë mund ta përkufizojmë edhe kështu. Homeostaza është aftësia e qënieve të gjalla për t’iu përshtatur kushteve rrethanore të mjedisit ku jetojnë pa pasur nevojë të ndryshojnë gjendjen e mjedisit të brendshëm të trupit të tyre.
Shembulli më i mirë i homeostazës është aftësia e trupit të njeriut për të ruajtur një temperaturë të vazhdueshme trupore rreth 37 gradë celsius pavarësisht faktit nëse moti është i ftohtë apo i ngrohtë.
Homeostaza është thelbësore për mbijetesën dhe shëndetin e trupit të gjallesave. Ajo është përgjegjëse për ruajtjen e organeve dhe vazhdimësinë e bashkëveprimeve kimike në trup, në mënyrë që të mos ndodhin asnjeherë ndryshime të pa dëshiruara.
Homeostaza është një tërësi veprimesh e bashkëveprimesh që ndodhin në trupin e gjallesave dhe ka këto tipare:
Qëndrueshmëria, që është ruajtja e gjendjes së pandryshuar në mjedisin qelizor në veçanti ose atë trupor në përgjithësi. Në gjuhën shkencore kjo quhet gjendje ekuilibiri (baraspeshe).
Baraspesha, që vjen si rrjedhojë e bashkëveprimeve biologjike në trup. Nëse arrihet homeostaza, atëherë gjallesa vazhdon të jetojë. Nëse homeostaza nuk arrihet atëherë gjallesa mund të pushojë së jetuari.
Aftësia prapavepruese, që është aftësia e trupit të njeriut për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin e brendshëm. Aftësia prapavepruese arrihet nëpërmjet tre pajisjeve trupore (mekanizmave): pritësve (receptorëve), qendrës së mbikqyrjes (së kontrollit) dhe vepruesve (afektorëve).
Organet që kanë për detyrë të ruajnë homeostazën e trupit janë mëlçia, pankreasi, veshkat dhe truri, të cilat veprojnë si pjesë e hipotalamusit, sistemit nervor dhe sistemit endokrin.