Prania e jetës dhe gjithë gjallesave në tokë ngjallin një kureshtje të pakufijshme tek njerëzit, të cilët për ta shuar atë kanë shpikur lëndën e biologjisë. Lënda e biologjisë është hulumtimi i të gjitha dukurive jetësore në tokë dhe të gjitha gjallesat i nënshtrohen veprimtarisë hulumtuese të saj. Shkenca e biologjisë hulumton si dukuritë madhore me përmasa botërore, ashtu edhe ato të imtat si p.sh. bakteret dhe ADN-në.
Njohuritë mbi botën e gjallë ndryshojnë dhe përditësohen vazhdimisht. Por disa të vërteta thelbësore për jetën mund të quhen si të përhershme e të pandryshueshme:
Qelizat janë njësitë themelore përbërëse të jetës.
Gjenet janë njësitë themelore të trashëgimit të veçorive jetësore nga prindi tek fëmija.
Evolucioni nëpërmjet përzgjedhjes natyrore është shkaku i zhvillimit të shumëllojshmërisë së gjallesave në tokë.
Gjallesat kanë aftësinë të ruajnë gjendjen e përbërë brenda trupave dhe qelizave të tyre (homeostazë).
Gjallesat kanë aftësinë për të përftuar dhe shndërruar fuqinë (energjinë).
Siç mund të kuptohet nga renditja e mësipërme, biologjia është një fushë shumë e gjerë veprimtarie hulumtuese. Ajo zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme dhe biologët në të katër anët e botës po punojnë që t’i zgjerojnë kujfijtë e njohurive mbi jetën.
Ndonëse lënda e biologjisë mori trajtën e saj të plotë si degë shkencore në shekullin e XIX-të (19), hulumtimet biologjike e kanë zanafillën tek mjekësia dhe historia e natyrës që në kohërat e Ajurvedës (mjekësia e lashtë indiane), mjekësisë së lashtë egjiptiane dhe asaj heleno-romake (Aristoteli, Theofrasti, Galeni, etj.) më shumë se 3000 vjet në të shkuarën.
Biologji - nga greqishtja e vjetër bios (jetë) dhe logia (fjalë ose shpjegim). Pra "biologji" do të thotë "shpjegime për jetën".
Gjen - nga greqishtja e vjetër genea (pjell, pjellë).
Evolucion - nga latinishtja evolutus (shpalosje).
Homeostazë - nga greqishtja e vjetër homeos (i ngjashëm) dhe stasis (gjendje ose qëndrim). Pra të qëndrosh në një gjendje të pandryshuar.
Energji - nga greqishtja e vjetër energos (veprues).
Jeta: Çfarë është jeta dhe si zhvillohet? Pse gjendet ajo vetëm në planetin tokë?
Qelizat: Qelizat janë njësitë themelore të jetës. Të gjitha gjallesat në tokë janë ndërtuar prej qelizave.
Gjenet: Gjenet janë njësitë themelore të trashëgimit të tipareve jetësore nga prindi tek fëmija.
Evolucioni: Teoria e evolucionit (ndryshimit) nëpërmjet përzgjedhjes natyrale shpjegon shumëllojshmërinë e gjallesave në tokë.
Homeostaza: Aftësia e gjallesave për të ruajtur qëndrueshmërinë e mjedisit të brendshëm pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në mjedisin e jashtëm.
Përpunimi i fuqisë: Të kuptojmë se si gjallesat e krijojnë veprojnë nëpërmjet fuqisë (energjisë).
Rritja dhe zhvillimi: Të kuptojmë se si rritet dhe zhvillohet jeta.
Ndjeshmëria dhe kundërveprimi: Të kuptojmë se si gjallesat kundërveprojnë ndaj nxitësve të jashtëm (stimujve).
Shumimi dhe përshtatja: Të kuptojmë se si shumohen gjallesat dhe se si u përshtaten kushteve rrethanore.
Shumëllojshmëria e jetës në tokë : Biologjia hulumton shumëllojshmërinë e gjallesave dhe ndërveprimin e tyre me njëra tjetrën, që vjen si pasojë e evolucionit (ndryshimeve në kohë). Një gjuhën shkencore kjo dukuri quhet biodiversitet.
Metoda shkencore: Mënyra si biologët hulumtojnë dhe përnjohin botën që na rrethon: metoda shkencore, eksperimentet dhe mjete të tjera që shkencëtarët përdoring për të vërtetuar dijet e tyre ose për të bërë zbulime të reja.
Gjen - nga greqishtja e vjetër genea (pjell, pjellë).
Evolucion - nga latinishtja evolutus (shpalosje).
Homeostazë - nga greqishtja e vjetër homeos (i ngjashëm) dhe stasis (gjendje ose qëndrim). Pra të qëndrosh në një gjendje të pandryshuar.
Bio + diversitet - nga greqishtja e lashtë bios (jetë) dhe nga anglishtja diversity (shumëllojshmëri). Pra, shumëllojshmëria e jetës.
Metodë - nga greqishtja e vjetër methodos (mënyrëm, udhë ose udhëzim).
Metoda (mënyra) shkencore shërben si mjet hulumtues për të zbuluar dhe për të zbuluar të vërteta shkencore të besueshme. Që të quhen përnjimend shkencore, zbulimet duhet të dalin si rrjedhojë e eksperimenteve (shqyrtimeve) që mund të përsëriten, domethënë që mund të zhvillohen më shumë se një herë dhe të japin gjithnjë të njëjtat përfundime. Më poshtë po renditim hapat e metodës shkencore:
Vëzhgimi. Që të kuptojmë dukuritë natyrore duhet më parë t’i vëzhgojmë me kujdes atë dhe të mbajmë shënime.
Pyetjet. Pasi të kemi bërë vëzhgime të mjaftueshme, vetvetiu do ngremë pyetje që do të na shpien drejt përgjigjeve të sakta.
Hipoteza (parashtrimi). Gjatë përpjekjes tonë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve dhe si rrjedhojë e vëzhgimeve të imta, vetvetiu do të parashtrojmë disa mendime në lidhje me dukurinë e vëzhguar, të cilat do të vërtetohen ose do të hidhen poshtë nëpërmjet shqyrtimit (eksperimenteve).
Parashikimi. Në parashtrimin që do të bëjmë, do të vëmë arsyen në punë dhe do të bëjmë disa parashikime që mund të na duken të drejta. Mirëpo këto parashikime nuk mund të quhen të vërteta për sa kohë nuk janë shqyrtuar ende dhe nuk kemi të dhëna përfundimtare.
Eksperimenti (shqyrtimi). Shqyrtimi do të na tregojë nëse parashikimet tona mbi mendimet e parashtruara (hipotezën) janë apo jo të sakta.
Analiza. Me të marrë të dhënat dhe njohuritë që dalin si pasojë e shqyrtimit, do të bëjmë me paanshmëri vlerësimin e tyre.
Përfundim shkencor. Vlerësimi i të dhënave do të na nxjerë në përfundime të sakta shkencore. Këto përfundime mund ta vëretojnë hipotezën që kemi ngritur më parë ose mund t’a hedhin poshtë atë.
Bashkëbisedimi shkencor. Përfundimet e nxjerra shkencore do t’ua bëjmë të ditur edhe shkencëtarëve të tjerë, në mënyrë që edhe ata të njihen me rrugëtimin tonë shkencor dhe nëse kanë dëshirë, ta përsërisin atë.
Ja një shembull hulumtimi fare i thjeshtë që na shpi në të dhëna të sakta duke ndjekur metodën shkencore.
Vëzhgim: të gjithë e dimë që ditën është më ngrohtë se natën.
Pyetje: pse ndodh kjo?
Hipoteza: rritja e nxehtësisë ndoshta ka të bëjë me praninë e diellit në qiell.
Parashikimi: eksperimenti do të vërtetojë rritjen e nxehtësisë gjatë lindjes së diellit dhe uljen e saj pas perëndimit.
Eksperimenti: do të marrim një termometër dhe do të masin temperaturën në orë të ndryshme të ditës dhe të natës përgjatë disa ditëve.
Analiza: nga ky eksperiment do të dalin të dhëna që vërtetojnë jo vetëm hipotezën e ngritur se nxehtësia përnjimend rritet si pasojë e pranisë së diellit në qiell, por do të dalin edhe të dhëna të tjera që tregojnë se nxehtësia rritet dhe bie në mënyrë të përshkallëzuar në varësi të venndodhjes së diellit në qiell gjatë ditës. Për shembull termometri do të tregojë se temperatura fillon rritet kur dielli lind, arrin një pikë kulmore në mesditë dhe ulet sërish kur perëndon.
Përfundimi: Vëzhgimet shkencore na tregojnë se moti vërtetë bëhet më i ngrohtë për shkak të pranisë së diellit në qiell.
Në këtë mënyrë kemi kryer një eksperiment që mund të përsëritet disa herë dhe që do të japë gjithnjë të njëjtat përfundime. Këto përfundime janë shkencore dhe të besueshme sepse janë mbështetur tek metoda shkencore.
Metoda shkencore u krijua gjatë kohës së Revolucionit Shkencor (vitet 1500-1700). Metoda shkencore ishte rrjedhojë e ndërthurjes së njohurive të nxjerra nga vëzhgimi i thjeshtë pamor (njohuri teorike) me hulumtimet të kryera me mjete shkencore (eksperimenti). Të dhënat e këtyre hulumtimeve zbërthehen (analizohen), krahasohen me të dhëna e nxjerra nga eksperimente të ngjashme dhe në fund vlerësohen nga bashkësia e hulumtuesve (komuniteti shkencor). Kjo është mënyra e saktë e zbulimit dhe kuptimit të botës që na rrethon.
Metodë - nga greqishtja e vjetër methodos (mënyrë, udhë ose udhëzim).
Eksperiment - nga latinishtja eksperior (përvojë, zbulim, vëzhgim) dhe mentum (pajisje ose mjet).
Termometër - nga greqishtja e vjetër thermos (nxehtësi ose ngrohtësi) dhe metron (matje, gjatësi, gjerësi, thellësi, peshë).
Temperaturë - nga latinishtja temperatura (matje, saktësim).
Hipotezë - nga greqishtja e vjetër hipothesis (parashtrim). Për shembull "ngre një hipotezë" mund të thuhet "parashtrojë një mendim".
Analizë - nga greqishtja e vjetër analio (zbërthej, shkoqis, shpleks, shpalos).