Aparati tretës ka për detyrë të shpërbëjë, të tresë dhe të përthithë ushqimin në lëndë e molekula, të cilat mund të shfrytëzohen nga trupi për fuqi, rritje dhe ndreqje të indeve.
Shpërbërja dhe tretja e ushqimit bëhen me qëllim që lëndët ushqyese të bëhen aq të vogla sa të mund të kalojnë tejpërtej mureve të zorrëve dhe të përthithen në gjak. Shpërbërja dhe tretja bëhen në dy mënyra: mekanike, gjatë së cilës ushqimi shpërbëhet në pjesëza më të vogla në gojë dhe në stomak, dhe kimike, gjatë së cilës ushqimi shpërbëhet e tretet si pasojë e veprimit të lëndëve tretëse, që fillojnë në gojë dhe përfundojnë tek zorra e hollë. Lëndët ushqyese përthithen nga muret e zorrës së hollë dhe barten në gjak. Pasi kryhet përthithja e lëndëve ushqyese, sasia e pa tretur e ushqimit nxirret jashtë trupit.
Aparati tretës fillon me gojën. Ushqimi përtypet në gojë dhe përzihet me pështymën, e cila përmban enzima që shpërbëjnë molekulat e karbohidrateve. Vetë veprimi i përtypjes e copëton ushqimin në pjesëza më të vogla të cilat mund të shpërbëhen më me lehtësi.
Pasi përtypet në gojë, ushqimi gëlltitet dhe kalohet në gurmaz (ezofag), një organ muskulor, i cili duke u shtrënguar e kalon ushqimin më tej në drejtim të lugthit (stomakut). Në gjuhën shkencore ky veprim muskulor quhet tkurrje peristaltike.
Lugthi është një organ muskulor me pamje thesi, në të cilin ushqimi i përtypur përzihet me lëngje tretëse për t’u shpërbërë edhe më shumë. Në gjuhën shkencore këto lëngje quhen lëngje gastrike. Ato përmbajnë molekula të acidit hidroklorik (HCl) dhe enzima (proteina) që në bashkëpunim me tkurrjet e lugthit shpërbëjnë ushqimin deri në pjesëzat më të imta të tij. Lënda që përftohet si pasojë e trejtjes në gjuhën shkencore quhet kimë.
Kur arrin trajtën e saj përfundimtare në lugth kima vazhdon më tej rrugën drejtë zorrës së hollë, një organi tjetër muskulor i ndarë në tre hallka. Hallka e parë është zorra dymbëdhjet gishtore, një organ me sipërfaqje të lëmuar dhe me pamje harkuar. Në gjuhën shkencore ajo quhet duoden. Atje kimës i shtohen lëngje të tjera tretëse që villen nga pankreasi dhe mëlçia. Lëngu tretës i mëlçisë në gjuhën shkencore quhet bilë.
Pankreasi është një gjëndër e zgjatuar që krijon lëngje të rëndësishëm për punën e organeve tretëse. Enzimat tretëse të pankreasit ndihmojnë shpërbërjen e molekulave të karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave tek zorra e hollë. Pankreasi gjithashtu krijon insulinë dhe hormone që ndihmojnë në baraspeshimin e pranisë së molekulave të sheqerit në gjak.
Mëlçia krijon bilë, një lëndë organike që ndihmon shpërbërjen e yndyrnave. Bila ruhet tek tëmthi dhe villet në zorrën e hollë atëherë kur nevojitet.
Hallka e dytë e zorrës së hollë është jejunumi, një organ i gjatë muskulor me sipërfaqje me rrudha dhe i palosur, me gjatësi mesatare rreth 2.5 metra. Kima atje është gjatë gjithë kohës në lëvizje sepse jejunumi shtrëngohet vazhdimisht për ta shtyrë atë përpara e njëkohësisht për të përthithur lëndët ushqyese. Pastaj kima vazhdon rrugëtimi drej hallkës së tretë të zorrës së hollë, që në gjuhën shkencore quhet ileum. Ileumi është vazhdimësi e jejunumit por me dallimin që muret e këtij organi janë pak më të holla. Atje vazhdon përthithja e mëtejshme e lëndëve ushqyese dhe bëhet përgatitja për kalimin drejt zorrës së trashë.
Me të përfunduar qarku i përthithjes së lëndëve ushqyese në zorrën e hollë, kima shtyhet nëpërmjet tkurrjes së muskujve drejt zorrës së trashë, që është vazhdimësi e zorrës së hollë por me gjerësi më të madhe. Tek zorra e trashë fillon aparati i jashtëqitjes. Gjatësia mesatare e zorrës së trashë është 166 cm tek meshkujt dhe 155 cm tek femrat. Zorra e trashë ka për detyrë të përthithë ujin dhe kripërat nga lënda e mbetur, ta ngjeshë atë e ta kthejë në jashtëqitje. Ashtu si zorra e hollë, edhe zorra e trashë është e ndarë në tre hallka. Hallka e parë është vazhdimësi e zorrës së hollë dhe në gjuhën shkencore quhet cekum. Poshtë cekumi zgjatet si bisht një zorrë e shkurtër, e vogël, qorre, detyra e të cilës nuk është krejt e qartë por shkencëtarët mendojnë se luan rol në aftësinë mbrojtëse (imunitetin) të zorrëve. Emërtimi shkencor i këtij organi është apendiksi.
Hallka e dytë dhe më e gjatë është zorra e trashë, që i ka dhënë dhe emrin të gjithë organit. Zorra e trashë është e ndarë në tre pjesë (kolone): zorra që ngjitet, që ndodhet në anën e djathtë të zgavrës së barkut, zorra tërthore, që ndodhet në anën e sipërme të zgavrës së barkut dhe zorra që zbret, që ndodhet në anën e majtë zë zgavrës së barkut. Zorra e trashë e shtyn jashtëqitjen drejt hallkës së tretë, rektumit, nëpërmjet tkurrjeve të muskujve (peristaltikës) disa herë në ditë.
Hallka fundore e organit të zorrës së trashë është rektumi, një tjetër organ muskulor me sipërfaqe të lëmuar në trajtën e thesit me një vrimë në fund nga ku kryhet jashtëqitja e lëndës organike. Vrima në fund të rektumit në gjuhën shkencore quhet anus dhe hapet ose mbyllet për të nxjerë jashtëqitjen në sajë të muskujve të fuqishëm.
Tretja e ushqimit në zorrë nuk kryhet vetëm nëpërmjet lëngjeve tretëse dhe tkurrjes së muskujve. Atë e ndihmojnë edhe një larmi gjallesash të imta, të padukshme, që gjenden në mjedisin e brendshëm të zorrëve, e që kryejnë detyra nga më të ndryshmet si për shembull shpërbërja e karbohidrateve të vështira për t’u tretur, fibrave ushqimore dhe lëndëve të tjera që nuk treten nga molekulat proteinike (enzimat) që krijon vetë njeriu.
Disa lloje gjallesash kriojnë vitamina të rëndësishme për organizmin si vitamina K, disa vitamina B, etj.
Ka gjallesa që ndihmojnë mbrojtjen e organizmit (sistemin imunitar) nga trupat e huaj (patogjenet), të rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Për shembull disa baktere ndihmojnë forcat e rendit (rruazat e bardha) që të njohin e të dallojnë gjallesat e dëmshme nga ato të dobishmet.
Disa gjellesa shërbejnë si roje kufitare, duke mos lënë të huajt të hyjnë në enët e qarkullimit të gjakut.
Ka gjallesa që ndihmojnë në veprimtarinë e të gjitha organeve duke marrë pjesë në stivosjen e yndyrnave dhe në shpërndarjen e fuqisë atje ku nevojitet.
Dhe së fundi, disa gjallesa krijojnë lëndë që shërbejnë si melhem veçanërisht kur muret e zorrës acarohen dhe enjten për shkaqe të ndryshme.
Bashkësia e të gjithë gjallesave në mjedisin e brendshëm të zorrëve quhet në gjuhën shkencore flora bakteriale e zorrës.
Gjallesat më të përhapura në zorrë dhe që i njohim më mirë janë bakteret. Ato janë me qindra lloje bakteresh dhe gjenden në sasi mjaftë të mëdha.
Arkeat janë një lloj tjetër gjallesash që gjenden në zorrë, por më të pakta në numër se bakteret. Për shembull një nga llojet e arkeave (metanogenet) është pjesëmarrëse në veprimatarinë e prodhimit të gazit të metanit në zorrë.
Në zorrë gjejmë edhe kërpudha mykotike e fermentuese. Për shembull kërpudha me emrin shkencor kandida, që shkakton edhe sëmundje, gjendet në mjedisin e zorrës, ndonëse në sasi të vogla.
Mjedisit të zorrës nuk i mungojnë as viruset, si për shembull bakterofaget, të cilat sulmojnë baktere të tjera, veçanërisht ato të dëmshmet për njeriut. Roli i viruseve në zorrë është ende një çështje e pa zbuluar tërësisht.
Në fund kemi edhe protozoarët, që janë gjallesa njëqelizore eukariote dhe që janë shumë më të pakta në numër se bakteret. Disa protozoarë janë të padëmshëm, ndërsa të tjerë mund të shkaktojnë sëmundje.
Fotografi e kryer me miksroskop e bakterit Esherikia koli (Escherichia coli), një ndër llojet e baktereve që gjenden në zorrët e njeriut.
Mënyra kryesore se si trupi i njeriut nxjerr jashtë mbeturinat dhe lëndët e tepërta është nëpërmjet jashtëqitjes së lëngjeve. Në gjuhën shkencore kjo veprimtari quhet sistemi urinar, ndërsa lëngu quhet urinë. Në këtë veprimtari përfshihen katër organe kryesore dhe një numër organesh ndihmëse. Pika ku fillon përgatitja për jashtëqitjen e urinës janë veshkat. Ato kanë pamjen e kokrrës së fasules dhe gjenden menjëherë poshtë kafazit të kraharorit, në pjesën e pasme të trupit, një në të majtë dhe tjetra në të djathtë. Veshkat kanë për detyrë të kullojnë gjakun dhe të veçojnë prej tij të gjitha mbeturina dhe lëndët e panevojshme. Nëpërmjet kësaj veprimtarie kryhet edhe drejtpeshimi i sasisë së lëngjeve dhe lëndëve të tjera të rëndësishme në trup.
Gjaku bartet në veshka nga zemra me anë të enëve të gjakut që në gjuhën shkencore quhen venat renale. Me të mbërritur në veshka, atje gjaku kullohet dhe lëndët e dobishme veçohen nga lëndët e padobishme. Kullimi i gjakut në veshkë bëhet me ndihmën e rreth një milion fijeve fare të imta të ngjeshura pas njëra tjetrës, që në gjuhën shkencore quhen nefrone. Lëndët e dobishme përthithen sërish në gjakun që do të shkojë drejt mushkërive për t'u pasuruar me oksigjen ndërsa lëndët e padobishme përzihen me lëng urinar dhe kalojnë në dy gypat shkarkues që në gjuhën shkencore quhen uretera. Gypat e ureterës janë organe muskulare dhe, ashtu si lugthi dhe zorrët, e shtyjnë urinën tëposhtë drejt fshikëzës duke u shtrënguar (nëpërmjet veprimit peristaltik).
Fshikëza e urinës është një organ muskulor me pamjen e një kungulli të zbrazët me kokë poshtë që mbushet vazhdimisht me urinë. Fshikëza ka mure të përkulshme, ajo zgjerohet kur mbushet dhe zvogëlohet duke u shtrënguar për t’u zbrazur.
Në fund urina kalon nëpër një gyp të hollë e mandej jashtë trupit. Në gjuhën shkencore ky gyp quhet uretra. Tek meshkujt edhe sperma del jashtë nëpërmjet uretrës. Gjatësia dhe pamja e uretrës është e ndryshme tek meshkujt dhe tek femrat.