Frymëmarrja qelizore tek bimët është një dukuri gjatë së cilës çlirohet fuqia që do të shfrytëzohet për rritjen e bimës dhe veprimtari të tjera jetësore nëpërmjet shpërbërjes së sheqernave. Në gjuhën shkencore frymëmarrja quhet respirim. Ndryshe nga fotosinteza, frymëmarrja ndodh gjatë gjithë kohës, ditë e natë, pa pushim. Frymëmarrja u lejon bimëve që fuqinë e ndrydhur tek molekulat e sheqernave ta kthejnë në fuqi të shfrytëzueshme nga vetë bima.
Frymëmarrja zhvillohet në disa etapa:
Së pari, bima thith oksigjenin (O2) që gjendet në ajër. Ajo e kryen këtë veprimtari nëpërmjet gojëzave të imëta qelizore (stomata) në sipërfaqen e poshtme të gjethes.
Oksigjeni i thithur shfrytëzohet nga qelizat e bimës për të shpërbërë molekulat e glukozës (një lloj sheqeri) dhe për t'i ndarë ato në molekula dioksid karboni (CO2) dhe uji (H2O). Në gjuhën shkencore bashkëveprimi kimik që shpërbën molekulat e glukozës quhet reaksion katabolik.
Si pasojë e shpërbërjes së molekulave të glukozës krijohen molekula ATP, që përdoren nga bima si burim fuqie për kryerjen e detyrave të ndryshme jetësore, si për shembull rritja e bimës, ndreqja e dëmtimeve dhe shtimi me bimë të reja.
Dioksidi i karbonit që u krijua si pasojë e shpërbërjes së molekulave të glukozës çlirohet në ajër për t’u thithur pastaj sërish gjatë dukurisë së fotosintezës.
Si frymëmarrja, si fotosinteza janë dukuri shumë të rëndësishme për t’a mbajtur bimën gjallë. Megjithatë ato shërbejnë për qëllime të ndryshme. Fotosinteza është dukuria e shndërrimit të dioksidit të karbonit në ujë dhe sheqerna me ndihmën e rrezeve të dritës dhe rrjedhimisht ndodh vetëm gjatë ditës. Frymëmarrja, nga ana tjetër, është dukuria e shndërrimit të sheqernave në fuqi dhe ujë me ndihmën e oksigjenit dhe ndodh gjatë gjithë kohës. Fotosinteza krijon fuqi. Frymëmarrja e çliron atë.
Djersitja qelizore tek bimët është një dukuri gjatë së cilës gjethet çlirojnë ujë në trajtën e avullit. Në gjuhën shkencore djersitja quhet transpirim. Ashtu si frymëmarrja, edhe djersitja kryhet nëpërmjet gojëzave të imëta qelizore (stomata) në sipërfaqen e poshtme të gjethes. Si rrjedhojë e avullimit të molekulave të ujit, tek tufat enëzore të bimës (ksilemat dhe floemat) krijohet një forcë tërheqëse që sjell më shumë ujë nga rrënjët drejtë kërcellit dhe gjetheve.
Dukuria e djersitjes fillon me ujin që thithet nga rrënjët në tokë dhe udhëton lart drejt kërcellit dhe gjetheve.
Uji shpërndahet pastaj në të gjithë sipërfaqen e gjethes nga ku do të avullojë nëpërmjet gojëzave qelizore.
Avullimi i ujit krijon një trysni zbrazëtie e cila mund të mbushet vetëm duke tërhequr më shumë ujë nga rrënjët, njësoj si thithja e ujit me pipth. Qarkullimi i vazhdueshëm i ujit nga poshtë-lartë ndihmon bartjen dhe shpërndarjen e lëndëve ushqyese nga rrënjët drejt pjesëve të tjera të bimës.
Përveç se sa më sipër, djersitja kryen edhe detyra të tjera. Ajo ndihmon ftohjen e bimës, pra drejtpeshimin e temperaturës, dhe drejtqëndrimin e kërcellit, pasi kur qelizat janë plot me ujë ato fryhen dhe nuk e lënë bimën të zgërlaqet.
Shkalla e djersitjes, pra sasia a ujit që avullon, ndikohet shumë nga kushtet rrethanore:
Tempertaurat e larta zakonisht e rrisin shkallën e avullimit të ujit.
Lagështia në ajër gjithashtu ka ndikim. Kur ka shumë lagështi në ajër, shkalla e avullimit të ujit nga gjethet është më e ulët.
Era mund ta rrisë shkallën e avullimit të ujit duke e larguar lagështinë nga gjethet më shpejt.
Së fundmi, edhe drita ka ndikim tek djersitja. Sa më shumë dritë, aq më shumë hapen gojëzat qelizore të gjetheve në mënyrë që të lejojnë shkëmbimin e gazrave.