Bashkësia e organeve të shumimit luan një rol thelbësor në trupin e njeriut sepse ka për detyrë që të krijojë jetën. Në gjuhën shkencore kjo bashkësi quhet sistemi riprodhues. Qëllimi i sistemit riprodhues është që, nëpërmjet bashkëpunimit të mendjes me hormonet dhe organet përkatëse, të krijojë, të bartë dhe të rrisë qeliza riprodhuese që do të shërbejnë për ngjizjen dhe zhvillimin e një embrioni. Më poshtë do të kuptojmë se si funksionon shumimi tek njerëzit dhe se sa i rëndësishëm është shëndeti i këtij sistemi.
Vezët janë qeliza riprodhuese femërore (gametet femërore) që krijohen tek vezoret e femrës. Ato kanë pamje të rrumbullakët dhe janë qelizat më të mëdha në trupin e njeriut. Vezët janë të veshura me disa shtresa qelizash mbrojtëse në formë lëvozhge që në gjuhën shkencore quhet korona radiata.
Fara përbëhet prej qelizave riprodhuese mashkullore (gameteve mashkullore), të cilat në gjuhën shkencore quhen spermatozoidë. Ndërsa vetë fara në gjuhën shkencore quhet spermë. Përveç kokës dhe trupit, spermatozoidet kanë edhe një bisht të gjatë të fuqishëm, i cili i ndihmon të shtyhen përpara në kërkim të vezës.
Bashkësia e organeve të shumimit tek femrat ka për detyrë që të krijojë vezët (gametet femërore) dhe pas ngijzjes të krijojë kushtet e përshtatshme për zhvillimin vezës së ngjizur (embrionin) deri sa kjo të shndërrohet në një bebe. Kjo bashkësi përfshin vezoret, gypat fallopianë, mitrën, qafën e mitrës dhe vaginën.
Vezoret janë dy gjendra të vogla me pamje vezake që gjenden në dy anët e mitrës. Ato kanë për detyrë të krijojnë vezë dhe hormone, si për shembull estrogjen dhe progesteron, të cilat ndihmojnë ciklin menstrual dhe luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin riprodhues. Çdo muaj një vezore lëshon zakonisht një vezë dhe ky veprim në gjuhën shkencore quhet ovulacion.
Gypat fallopianë janë dy gypa të hollë e të gjatë që lidhin që shërbejnë si udhë kalimi mes vezoreve dhe mitrës. Kur vezoret lëshojnë vezën, ajo duhet të udhëtojë nëpërmjet gypave fallopianë që të mbërrijë tek mitra. Ngjizja e vezës ndodh zakonisht diku tek gypat fallopianë, pothuajse në gjysmë të rrugës. Në gjuhë shkencore ngjizja quhet fekondim.
Mitra është një zgavër e zbrazët me pamje dardhe e rrethuar me mure muskulorë ku veza e ngjizur vendoset për t’u zhvilluar në embrion e pastaj në bebe. Brenda mureve të brendshme të mitrës çdo muaj krijohet një cipë e trashë, qëllimi i të cilës është të presë dhe të ruajë vezën e ngjizur. Në gjuhën shkencore kjo cipë quhet endometrium. Kur veza nuk ngjizet, cipa shkarkohet jashtë bashkë me gakderdhjen e përmuajshme. Në gjuhën shkencore kjo gjakderdhje quhet cikël menstrual.
Qafa e mitrës është pjesa e poshtme e mitrës e cila vazhdon në trajtë gypi të gjatë, të ngushtë si gryka e shishes dhe del në zgavrën e vaginës. Tek qafa e mitrës villet një lëndë në trajtë ajke që ndryshon trashësi gjatë ciklit menstrual me qëllim për të ndihmuar ose penguar lëvizjen e spermës drejt mitrës. Në gjuhën shkencore lënda quhet mukus.
Vagina është një zgavër e rrethuar me mure muskulore që vazhdon nga qafa e mitrës dhe del jashtë trupit. Vagina shërben si rrugë shkarkimi për gjakun menstrual, si hapësirë pritëse për penisin gjatë marrëdhënies seksuale dhe rrugë daljeje për beben gjatë lindjes. Në gjuhën shkencore zgavra e mitrës quhet kaviteti vaginal.
Sistemi riprodhues i mashkullit ka për detyrë të krijojë farën (gametet mashkullore) dhe t’a shkarkojë atë në hapësirën vaginale të femrës, në mënyrë që ajo të vazhdojë rrugëtimin drejtë gypave fallopianë dhe vezës. Ky sistem përfshin herdhet, farën, epididimën, gypat e farës, fshikëzën seminale dhe gjëndrën e prostatës, uretrën dhe penisin.
Herdhet janë dy organe me pamje vezake që gjenden poshtë penisit, në thesin e herdheve, e cila varet jashtë trupit. Herdhet lëshojnë farë dhe hormone testosteroni, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e indeve riprodhuese dhe veçorive dytësore gjinore si qimet e fytyrës dhe zëri i trashë. Në gjuhën shkencore herdhet quhen testikuj ndërsa fara quhet spermë.
Epididima është një gyp i gjatë i mbështellë muskulor që qëndron në anën e pasme të herdheve e që shërben si rrugë kalimi nga herdhet tek gypat e spermës. Epididima ka për detyrë të thithë spermatozoidet nga herdhet dhe ta ruajë atë derisa ajo të piqet e të jetë gati për tu nxjerrë jashtë nëpërmjet një veprimi që në gjuhën shkencore quhet ejakulim.
Gypat e farës janë gypa muskulorë që tërheqin spermatozoidet nga epididima dhe e shtyjnë atë drejtë uretrës. Në gjuhën shkencore gypat e farës quhen gypat deferent.
Fshikëza seminale dhe gjendra e prostatës janë dy gjëndra që vjellin lëngje që përzihen me farën për t’i dhënë asaj trajtë të lëngshme. Fshikëzat seminale vjellin një lëng të sheqerosur që i jep farës fuqi, ndërsa prostata vjell një lëng në trajtë qumështi që e mbron dhe e ushqen farën.
Uretra është një gyp i gjatë që ka për detyrë të nxjerrë jashtë si urinën nga fshikëza, ashtu edhe farën nga sistemi riprodhues nëpërmjet penisit. Gjatë ejakulimit, një muskul në trajtë dere pengon përzierjen e urinës me lëngun e farës.
Penisi është organi i jashtëm që përdoret për të kryer mardhënie seksuale. Ai përbëhet nga inde që bymehen në sajë të qarkullimit të gjakut. Ky veprim quhet ngrehje. Gjatë ejakulimit lëngu i farës nxirret jashtë me fuqi nëpërmjet uretrës.
Gjatë ejakulimit mashkulli lëshon farën e tij në zgavrën vaginale (1). Me të rënë në kontakt me muret e saj, spermatozoidet fillojnë të shtyhen me ndihmën e bishtit drejtë qafës së mitrës (2), mitrës (3) dhe gypave fallopianë (3) ku do të takohen me vezën (5). Spermatozoidet arrijnë të gjejnë vezën për shkak të hormoneve që kjo lëshon, të cilat shërbejnë si gjurmë që mund spermatozoidet ta ndjekin për të mbërritur deri tek ajo, njësoj si qeni që kërkon nëpërmjet nuhatjes.
Ngjizja ndodh kur një spermatozoid takohet me vezën tek gypat fallopianë dhe bashkohet me të. Ky veprim në gjuhën shkencore quhet fekondim. Ndonëse fara e mashkullit përmban dhjetëra milionë spermatozoidë, të cilët bëjnë garë që kush e kush të mbërrijë i pari, vetëm njëri prej tyre arrin depërtojë lëvozhgën mbrojtëse të saj. Veza e zgjedh vetë se cilin spermatozoid do të pranojë.
Veza e fekonduar në gjuhën shkencore quhet zigotë dhe fillon të rritet gjatë kohës që udhëton drejt mitrës. Me të mbërritur në hapësirën e mitrës zigota kapet pas cipës së endometriumit për t’u zhvilluar në një embrion e pastaj në fetus. Kjo etapë quhet shtatzani dhe zgjat afro nëntë muaj.