Përgjithësisht, të gjitha bimët kanë rrënjët, kërcellin, gjethet dhe organet e shtimit (riprodhimi). Rrënjët e mbajnë bimën të kapur fort pas dheut dhe kanë për detyrë të thithin ujë dhe lëndë të tjera ushqyese. Kërcelli shërben si shtyllë mbajtëse e njëkohësisht nëpëmjet tij kalojnë uji, lëndët ushqyese dhe sheqeri, si nga poshtë-lart ashtu edhe nga lartë-poshtë. Gjethet janë pjesët kryesore ku kryhet fotosinteza dhe shkëmbimi i gazrave. Krijimi i farave dhe mbarështimi i bimëve është detyrë e luleve (tek angiospermat).
Rrënjët gjenden kryesisht nën sipërfaqen e tokës dhe përdoren nga bima për t’u kapur pas dheut. Ato thithin ujë dhe lëndë të tjera ushqyese nga dheu me qëllim që bima të ushqehet, të zhvillohet e të mbijetojë. Rrënjët gjithashtu mbledhin dhe ruajnë lëndë ushqyese. Ka disa lloje rrënjësh. Dy prej tyre janë rrënjët trung (karrotat) dhe rrënjë fijëzore (bari). Pjesët përbërëse të rrënjëve janë kapaku, qimet, epiderma, lëvorja, gypthat enëzorë dhe endoderma.
Kësulat e rrënjëve janë sipërfaqe të ngurta tek majat e rrënjëve. Ato mbrojnë pjesët e buta të rrënjës teksa zgjatojnë mes përmes dheut për të gjetur ujë dhe lëndë ushqyese. Kësulat e rrënjëve vjellin një lëndë të rrëshqitshme që e ndihmon rrënjën të lëvizë më me lehtësi në mjedis. Teksa rritet e zmadhohet, qelizat e kësulave të rrënjëve vjetërsohen dhe zëvendësohen vazhdimisht.
Qimet e rrënjëve janë fije fare të imta që dalin nga sipërfaqja e rrënjës. Ato janë shumë të rëndësishme sepse rrisin sipërfaqen thithëse të rrënjës. Qimet gjenden fare afër majës. Ato kanë jetëgjatësi shumë të shkurtër dhe teksa rrënja rritet ato zëvendësohen vazhdimisht. Kur shihet me mikroskop rrënja duke e pushëzuar për shkak të fijeve në sipërfaqe.
Epiderma është shtresa e jashtme e qelizave që mbulojnë rrënjën. Ajo kryen detyrën e lëkurës dhe ka për qellim të mbrojë pjesët e brendshme nga dëmtimi dhe sëmundjet. Edhe qelizat e epidermës ndihmojnë thithjen e ujit dhe të lëndëve ushqyese nëpërmjet qimeve të rrënjëve.
Lëvorja është një shtresë e trashë qelizore menjëherë pas epidermës. Ajo shërben si mjedis mbledhës për lëndët ushqyese. Në gjuhën shkencore quhet korteks. Korteksi ndihmon gjithashtu me qarkullimin e ujit dhe lëndëve ushqyese nga qimet drejt qendrës së rrënjës. Kjo shtresë mund të ruajë niseshte, një lëndë e përbërë prej molekulave të sheqerit, që bimët mund ta përdorin si burim fuqie atëherë kur u nevojitet.
Shtylla enëzore, e quajtur ndryshe edhe stele, gjendet në qendër të rrënjës. Në gjuhën shkencore ajo quhet cilindri vaskular. Përbëhet prej dy lloj gypthave nëpërmjet të cilëve barten e qarkullojnë uji dhe lëndët ushqyese. Në gjuhën shkencore këto gyptha quhen ksilema dhe floema. Ksilema shtyn ujin dhe lëndët ushqyese nga rrënjët drejtë pjesëve të tjera të bimës. Ndërsa floema sjell lëndë ushqyese nga gjethet drejt rrënjëve. Shtylla enëzore është e veshur me një shtresë që në gjuhën shkencore quhet endoderma, e cila ka për detyrë të mbikëqyrë dhe drejtpeshojë qarkullimin e lëndëve nëpërmjet ksilemave dhe floemave.
Endoderma është një shtresë e posaçme qelizore që shërben si gardh përzgjedhës. Ajo mbikëqyr cilat lëndë mund të hyjnë në shtyllën enëzore nga lëvorja. Qelizat e endodermës janë të pajisura me një veshje të papërshkrueshme nga uji, e cila i detyron lëndët të kalojnë nga njëra anë në tjetrën vetëm nëpërmjet qelizave. Në këtë mënyrë bima mbikqyr llojin e lëndës që hyn në mjedisin e brendshëm të saj duke ruajtur kështu një drejtpeshim të saktë të lëndëve ushqyese dhe ujit.
Kërcelli shërben si bosht mbi të cilin mbështeten gjethet, lulet dhe frutat. Njëkohësisht kërcelli shërben edhe si gyp që përçon ujin, lëndët ushqyese dhe sheqernat midis rrënjëve dhe pjesës tjetër të bimës. Në lloje të ndryshme bimësh kërcelli mund të ketë trashësi dhe gjatësi të ndryshme. Në disa bimë kërcelli shërben gjithashtu si mbledhës dhe ruajtës i lëndëve ushqyese. Pjesët përbërëse të kërcellit janë epiderma, lëvorja, tufat enëzore, thelbi dhe kambiumi.
Epiderma është shtresa e jashtme e kërcellit. Ajo mbron bimën nga dëmtimet. Epiderma përbëhet prej një shtrese të vetme qelizash që kanë aftësi të lejojnë të lagështinë por të mbajnë jashtë organizmat e dëmshëm. Disa kërcej janë të veshur me një shtresë dylli mbi epidermë që rrit aftësinë vetëmbrojtëse. Në gjuhën shkencore kjo shtresë dylli quhet kutikula. Epiderma ka edhe vrima të imta që lejojnë veprimtarinë e frymë këmbimit. Në gjuhën shkencore këto quhen stomata.
Lëvorja është shtresa poshtë epidermës. Në gjuhën shkencore ajo quhet korteks. Lëvorja kryen disa detyra, si për shembull ruajtja e lëndëve ushqyese dhe bartja e ujit nga mjedisi i jashtëm drejt atij të brendshëm. Tek disa bimë, lëvorja ruan edhe niseshte, një lëndë e përberë prej molekulave të sheqerit që shërben si burim fuqie.
Tufat enëzore janë bashkësi gypthash që bartin ujë dhe lëndë ushqyese përgjatë gjithë bimës. Ato kanë dy lloje gypthash: ksilema dhe floema (shiko më sipër ndërtimin e rrënjëve). Këto tufa gypthash i gjejmë të vendosur në trajtë rrethore tek disa bimë, si për shembull trëndafilat, dhe të shpërndara nëpër kërcell tek disa bimë të tjera, si për shembull misri.
Thelbi është pjesa qendrore e kërcellit. Ai është i përbërë prej qelizave të buta sfungjerore. Aty ruhen lëndë ushqyese dhe ujë. Thelbi mund të jetë i gjerë tek disa bimë, si për shembull luledielli, ose i ngushtë tek disa të tjera. Tek bimët e reja, qelizat e thelbit janë të gjalla dhe vepruese, ndërsa tek bimët më të vjetra, ato mund të jenë të vdekura dhe të zbrazëta, gjë që i jep kërcellit më shumë fortësi pa shtuar peshë.
Kambiumi është një shtresë e hollë indesh që rriten vazhdimisht, të cilën e gjejmë kryesisht tek pemët, midis ksilemave dhe floemave. Kambiumi ka për detyrë krijimin e qelizave të reja të ksilemave dhe floemave, të cilat duke u mbivendosur sipër njëra tjetrës e bëjnë kërcellin më të trashë. Kambiumi ndihmon edhe ripërtëritjet e dëmtimeve në kërcell. Kur ka kushte rrethanore që ushtrojnë trysni, kjo mbivendosje krijon unaza, të cilat në prerje tërthore tregojnë moshën e pemës.
Gjethet janë organi kryesor ku krijohet dhe çlirohet fuqia e nevojshme për kryerjen e të gjitha veprimtarive jetësore të bimës. Këtë, gjethet e bëjnë duke shndërruar dritën e diellit në fuqi. Në gjuhën shkencore kjo dukuri quhet fotosintezë. Gjethet ndihmojnë gjithashtu në kryerjen e qarkullimit dhe avullimit të ujit tek bimët, një dukuri nëpërmjet të cilës bima qarkullon lëndët ushqyese dhe përshtat temperaturën e brendshme. Në gjuhën shkencore kjo dukuri quhet transpirim. Pamja, madhësia dhe shpërndarja e gjetheve në kërcellin e bimëve ndryshon shumë nga një lloj bimësh tek tjetri. Pjesët përbërëse të gjethes janë: epiderma, stomata, mesofili, venat (tufat enëzore) dhe kloroplastet.
Epiderma është shtresa e jashtme qelizore e gjethes. Ajo shërben si lëkurë që mbron gjethen nga bakteret dhe lëndët e dëmshme, dhe njëkohësisht ruan sasi uji. Epiderma është zakonisht e tejdukshme, pasi lejon dritën e diellit të depërtojë tek kloroplastet brenda qelizave bimore. Shpesh herë epiderma është e veshur me një lloj dylli që pengon avullimin e ujit.
Stomata janë gojëza të imëta që gjenden kryesisht në anën e poshtme të gjethes. Ato lejojnë që të thithet dioksidi i karbonit dhe të çlirohet oksigjeni. Stomatat janë të rrethuara nga qeliza rojtare që kanë për detyrë të hapin e të mbyllin gojëzat. Me anë të këtij veprimi bima mund të mbajë nën mbikqyrje shkëmbimin e gazrave dhe avullimin e ujit e rrjedhimisht të mbajë në drejtpeshim dukurinë e fotosintezës dhe sasinë e ujit.
Mesofili është shtresa e mesme (e ndërmjetme) e gjethes, e cila ndahet në dy pjesë përbërëse: një shtresë me qeliza stërgjatëshe të renditura ngjeshur me njëra-tjetrën dhe një shtresë tjetër me qeliza të shpërndara në mënyrë të rrëmujshme. Qelizat e renditura ngjeshur quhen qeliza palisade, ndërsa qelizat e vendosura rrëmujë quhen qeliza sfungjerore. Qelizat palisade kanë përmbajtje të lartë kloroplastesh, të cilat kryejnë fotosintezën. Ndërsa qelizat sfungjer lejojnë qarkullimin e gazrave në gjethe.
Venat janë bashkësia e gypave që lejojnë qarkullimin e lëndëve nëpër gjethe. Brenda tyre ato kanë ksilema dhe floema. Ksilema shtyn ujin dhe lëndët ushqyese nga rrënjët drejtë pjesëve të tjera të bimës. Ndërsa floema sjell lëndë ushqyese nga gjethet drejt rrënjëve. Venat ndihmojnë gjethen të qëndrojë e shtrirë dhe e hapur, në mënyrë që të kapë sa më shumë dritë dielli.
Kloroplastet janë punishte të vogla në mjedisin e brendshëm të qelizave bimore, në të cilat kryhet dukuria e fotosintezës, ku drita e diellit dhe diksodi i karbonit shndërrohen në sheqerna që do të shërbejnë si burim fuqie për veprimtarinë jetësore të bimës.
Lulet janë organet e shtimit të bimëve. Aty krijohen farat e polenit, të cilat barten nga pjalmuesit dhe ndihmojnë riprodhimin e bimëve. Pjalmuesit mund të jenë bletë, zogj, flutura, etj. Lulet kanë ngjyra të theksura, lëshojnë aroma të forta dhe orfojnë nektar me qëllim që të tërheqin pjalmuesit të ulen mbi to dhe të bartin me vete qelizat riprodhuese të bimës. Pjesët përbërëse të lules janë këto: petalet, nëpetlat, thekët (organet riprodhuese mashkullore) dhe pistili (organi riprodhues femëror). Kur pjalmimi arrin të kryhet, bima krijon fara dhe fruta.
Petalet janë pjesët me ngjyrë të lules kur lulëzon. Përveç ngjyrës petalet lëshojnë edhe aromë të këndshme. Ato kanë për detyrë që t’i grishin gjallesat e ndryshme si fluturat, bletët, zogjtë, etj, që të afrohen e të mbledhin nektar. Këto gjallesa quhen në gjuhën shkencore pjalmues. Petalet janë vendosur zakonisht në trajtë rrethore dhe kanë pamje e madhësi të ndryshme.
Nëpetlat janë pjesë të gjelbërta me pamjen e gjethes që gjenden tek pjesa e poshtme e lules. Ato shërbejnë si mur mbrojtës për gonxhen para se të çelë. Kur çel lulja, nëpetlat shërbejnë si ngrehina mbështetëse për petalet. Nëpetlat nuk kanë ngjyra si petalet dhe shpeh herë mund të merren për gjethe.
Thekët janë organet mashkullore të lules. Ato kijojnë polenin, në të cilin fshihen farat. Çdo thek ka dy pjesë kryesore: kokën dhe fijëzën. Në gjuhën shkencore këto quhen përkatësisht anteri dhe filamenti. Koka e thekut është pjesa e sipërme që bart polenin, ndërsa fijëza është një kërcell i hollë që e mban kokën lart. Kur pjalmuesit vijnë tek lulja, kokrrizat e polenit kapen pas trupit të tyre dhe barten drejt pistilit të së njëjtës lule ose të luleve të tjera.
Pistili është organi femëror i lules dhe gjendet zakonisht në qendër të saj. Pistili ke tre pjesë kryesore: stigma, shtylla (stili) dhe vezoret. Stigma është pjesa e sipërme që kap kokrizat e polenit. Stili është gypi i hyrjes drejt vezoreve.
Vezorja gjendet në fund të pistilit dhe aty ruhen vezët. Gjatë pjalmimit, kokrrizat e polenit mbërrijnë tek stimgata, hyjnë brenda dhe udhëtojnë drejt vezores nëpërmjet shtyllës me qëllim që të fekondojnë vezët, të cilat pastaj shndërrohen në fara. Ndonjëherë vezoret bëhen frut, me qëllim që të mbrojë dhe të ndihmojë shpërndarjen e farave.
Shtrati është pjesa e kërcellit pas së cilës janë kapur të gjitha pjesët e tjera të lules. Tek disa bimë shtrati mund të bëhet pjesë e frutit. Nëpërmjet shtratit kalojnë të gjitha lëndët ushqyese që ushqejnë pjesët e lules.
Frutat zhvillohen prej vezëve të fekonduara të bimës. Në brendësinë e tyre ato bartin fara. Qëllimi i frutave është që t’i mbrojnë farat nga dëmitimi dhe të ndihmojnë shperndarjen e tyre në mënyra nga më të ndryshmet. Një mënyrë është duke u ngrënë nga kafshët , të cilat më pas i nxjerrin ato nëpërmjet jashtëqitjes. Një mënyrë tjetër është duke lundruar në ujë. Një tjetër ëshë duke udhëtuar me erën. Frutat mund të jenë me mishtore, si për shembull mollët dhe domatet, por mund të jenë edhe të thatuqe, si arrat dhe bathët. Pjesët përbërëse të frutave janë perikarpi (lëkura, tuli, bërthama), fara dhe bishti.
Perikarpi është pjesa e frutit që zhvillohet nga vezoret pas fekondimit. Perikarpi është i përbërë prej tre shtresash: lëkura (eksokarpi), tuli (mesokarpi) dhe bërthama (endokarpi). Tek disa fruta këto tre shtresa janë lehtësisht të dallueshme, si për shembull tek pjeshkët, dardhat, mollët, etj.
Farat janë pjesët e frutit që bëhen lulet e reja. Çdo farë përmban një embrion bashkë me lëndët e nevojshme ushqyese. Lëvorja e farës e mbron embrionin nga mjedisi i jashtëm deri sa të krijohen kushtet e nevojshme për të mbirë një bimë re. Farat kanë pamje dhe madhësi të ndryshme, në varësi të bimës.
Lëkura është shtresa e jashtme e perikarpit. Në gjuhën shkencore ajo quhet eksokarpi Ajo mund të jetë e butë dhe e brishtë, si për shembull tek rrushi, ose e trashë dhe e ngurtë, si për shembull tek shalqiri. Lëkura mbron frutin nga dëmtimet dhe ndihmon ruajtjen e ujit. Tek disa fruta, lëkura mund të ketë ngjyra të theksura me qëllim që të tërheqë vëmendjen e kafshëve, të cilat pastaj, ndihmojnë me shpërndarjen e farave.
Tuli është shtresa e mesme e frutit, e cila është gjithashtu pjesa e ngrënshme. Në gjuhën shkencore ai quhet mesokarpi. Kjo shtresë është zakonisht e butë dhe e lëngshme me qëllim që të jetë e shijshme për kafshët dhe njerëzit. Tuli shërben për të mbrojtur farat si dhe përmban lëndë ushqyese për kafshët që e ushqehen me të. Tek frutat, si për shembull mollët dhe portokallet, tuli është pjesa kryesore që hanë njerëzit.
Bërthama është shtresa e brendshme e perikarpit dhe njëkohësisht cipa që vesh farat ose farën. Në gjuhën shkencore ajo quhet endokarpi. Tek disa fruta, si për shembull pjeshkët dhe qershitë, bërthama është e ngurtë dhe ka pamjen e një guraleci. Tek fruta të tjera, si për shembull mollët dhe dardhat, bërthama është e butë dhe mezi dallohet. Bërthama mbron farat dhe shërben si gardh shtesë kundër gjallesave dëmtuese.
Bishti është vazhdimësi e kërcellit dhe mban të lidhura fara me frutin. Në gjuhën shkencore bishti quhet funikuli. Nëpërmjet bishtit qarkullojnë lëndëd ushqyese që fruti merr nga bima. Kur piqen farat, bishti shkëputet dhe fruti bie përtokë. Kjo dukuri shërben për të ndihmuar shpërndarjen farave.
Farat janë njësitë riprodhuese të bimëve. Brenda tyre ato bartin embrionin që do të krijojë bimën e re. Nga jashtë ato janë të mbështjella me një lëvore të ngurtë mbrojtëse, ndërsa nga brenda kanë mjaftueshëm lëndë ushqyese për të mbështetur rritjen fillestare të bimës. Farat mund të rrinë të përgjumura për një kohë shumë të gjatë, deri sa të krijohen kushtet e përshtatshme për mbirje, si temperatura dhe lagështia e përshtatshme. Bimë të ndryshme krijojnë fara me pamje e madhësi të ndryshme dhe gjithësecila ka mënyrë të vetën për të shpërndarë në mjedis. Pjesët përbërëse të farave janë: lëvorja, embrioni, kotiledonet, endosperma, hilumi, mikropili.
Lëvorja është shtresa e jashtme mbrojtëse e farës. Ajo mbron pjesët e brishta të farës nga dëmtuesit e jashtëm, sëmundjet dhe tharja. Lëvorja mund të jetë e trashë dhe e ngurtë, si tek fasulet, por mund të jetë edhe e hollë dhe e butë, si tek domatet. Shpesh herë lëvorja ka brima to imëta (pore) që lejojnë ujin të hyjë në brendësi të saj kur është gati për të mbirë.
Embrioni është bima e re që do të mbijë dhe gjendet brenda farës. Ajo ka disa pjesë përbërëse: rrënjëzën (që do të shndërrohet në rrënjë të mirëfillta), hipokotilin (që do të shndërrohet në kërcell) dhe kotiledonet (që do të shndërrohen në gjethe). Embrioni ka pamjen e një bimë fare të vogël, me të gjitha pjesët përbërëse, të cilat do të rriten me të filluar dukuria e mbirjes.
Kotiledonet janë gjethet e para që do të dalin me të filluar mbirja. Farat e disa bimëve kanë vetëm një kotiledon (gruri), që në gjuhën shkencore quhet monokot. Ndërsa farat e bimëve të tjera kanë dy kotelidone (fasulet), që në gjuhën shkencore quhet dikot. Kotiledonet shpesh kanë pamje disi më të ndryshme të ndryshme nga gjethet e bimës që do të zhvillohet më vonë.
Endosperma është një lëndë indore që qëndron rreth e përqark embrionit dheka lëndë ushqyese si për shembull niseshteja (lëndë sheqerore), proteina dhe yndyrna. Tek disa fara, si për shembull ato të misrit dhe grurit, endosperma zë vëllimin më të madh të farës. Tek fara të tjera, si për shembull ato të fasules, endosperma përthithet nga embrioni gjatë kohës që zhvillohet, prandaj dhe është më pak e dallueshme.
Hilumi është një shenjë në lëvoren e farës që tregon vendin ku fara kapet pas vezores. Atje është vendi ku fara merr lëndë ushqyese prej bimës, ndërkohë që zhvillohet. Hilumi është pak a shumë njësoj si kërthiza tek njerëzit. Prej saj mund të dallohen llojet e ndryshme të farave.
Mikropili është një vrimë e vogël në lëvoren e farës, në afërsi të hilumit. Ky është vendi ku kokrriza e polenit hyn që të fekondojë vezën. Mikropili është gjithashtu vrima ku hyn uji kur fara fillon të mbijë.