Trupi i njeriut ka një bashkësi organesh që bashkëveprojnë me njëra-tjetrën në mënyrë që ne të përjetojmë me pamje dhe me zë mjedisin që na rrethon. Në gjuhën shkencore kjo bashkësi quhet sistemi pamor e dëgjimor dhe përfshin sytë, veshët dhe trurin. Detyra e syve dhe veshëve është që ta shndërrojnë dritën dhe zërin në ngarkesa elektrike në mënyrë që truri të mund t’i përpunojë.
Sytë dhe truri bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për kuptuar mjedisin që na rrethon. Në gjuhën shkencore ky quhet sistemi pamor. Sistemi pamor fillon me dritën që hyn në sy nëpërmjet korneas, kalon tejpërtej bebes së syrit, vazhdon rrugëtimin nëpërmjet thjerrës dhe përfundon në murin e pasmë të syrit, tek retina, ku kapet nga qeliza pritëse që në gjuhën shkencore quhen receptorë. Për shkak se rrezet e dritës thyen kur kalojnë nëpërmjet thjerrës, pamja e sendeve në retina mbërrin me kokë poshtë.
Retina është një shtresë qelizash që kapin rrezet e dritës dhe i shndërrojnë ato në ngarkesa elektrike të cilat dërgohen pastaj tek truri. Në këtë shtresë ka qeliza me pamje shufrash, të cilat janë përgjegjëse për të lexuar dritë-hijet dhe qeliza me pamje konike, të cilat janë përgjegjëse për lexuar ngjyrat dhe imtësitë. Rrezet e dritës që kapen nga receptorët e anës së majtë të dy retinave përpunohen në anën e majtë të trurit, ndërsa rrezet që kapen nga receptorët e djathtë përpunohen në anën e djathtë të trurit.
Truri i bashkon të dhënat e marra nga të dy sytë në një të vetme dhe na jep aftësinë për të dalluar thellësinë dhe vëllimet e sendeve në mjedis. Kjo veprimtari ndodh aq shpejt saqë ne arrijmë t’i shohim gjërat teksa ndodhin. Shumica e të dhënave që vijnë nga sytë përpunohen në lobin oksipital të trurit.
Veshët dhe truri bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të kuptuar tingujt dhe zhurmat që vijnë nga mjedisi i jashtëm. Valët e tingujve hyjnë në zgavrën e veshit të jashtëm dhe nëpërmjet gypit përplasen tek daullja e veshit, e cila lëkundet sipas gjatësisë së valës. Këto lëkundje vënë në lëvizje tre kocka shumë të vogla që gjenden brenda veshit të mesëm, çekani, kudhra dhe yzengjia. Në gjuhën shkencore këto kocka quhen bashkërisht osikla. Këto kocka lëkunden dhe rrisin lartësinë e valës së tingujve dhe të zhurmave të cilat dërgohen drejt një organi në veshin e brendshëm të quajtur koklea. Koklea është një ngrehinë e mbështjellë me pamjen e guaskës së kërmilli e mbushur me lëng, në fund të të cilit gjenden qeliza nervore fare të imta në trajtë fijesh. Kur dridhjet e tingujve mbërrijnë tek koklea, ato krijonë valë tek lëngu, duke shkaktuar lëvizjen sa para-mbrapa të fijeve nervore, të cilat i shndërrojnë ato në ngarkesa elektrike.
Ngarkesat elektrike dërgohen drejt trurit nëpërmjet nervit dëgjimor dhe kur mbërrijnë atje ato lexohen si tinguj. Pjesë të ndryshme të trurit, përfshi lëvozhgën (korteksin) dëgjimore, bashkëpunojnë me njëra tjetrën për të na ndihmuar neve që të dallojmë zërat, muzikën dhe zhurma të tjera. Sistemi dëgjimor na ndihmon gjithashtu të gjejmë drejtimin se nga vijnë tingujt, gjë që është e rëndësishme për të kuptuar vendndodhjen tonë në hapësirë.
Fotografi mikroskopike e nervave dëgjimorë në trajtë fijesh që ndodhen brenda gypit të kërmillit.
Foto nga Dr. David Furness. Burimi: Wellcome Collection. https://wellcomecollection.org/works/en4kavac