Njësoj si kafshët, bimët janë gjithashtu të pajisura me lëndë indore e kimike që mbikqyrin rritjen, zhvillimin dhe përshtatjen ndaj mjedisit. Indet janë qeliza të ndara në bashkësi, secila me detyra të veçanta, që ndihmojnë mbijetesën dhe shtimin e bimëve. Veprimtaria e tyre jetësore ndihmohet dhe ndikohet nga nga një tërësi hormonesh, të cilat janë proteina me detyra të veçanta. Duke kuptuar mënyrën se si veprojnë indet dhe hormonet, ne kuptojmë mënyrën se si bimët lulëzojnë dhe përshtaten me mjedisin në të cilin rriten. Më poshtë do të bëjmë një renditje të këtyre hormoneve:
Auksinat janë një lloj hormoni bimor që krijohet kryesisht tek majat e rrënjëve dhe filizave pasi ajo ndihmon zgjatimin e qelizave dhe rritjen e bimëve. Auksina ndihmon gjithashtu krijimin e rrënjëve të reja e të frutave, por edhe rënien e gjetheve apo marrjen e drejtimit të bimës për nga drita. Kjo dukuri në gjuhën shkencore quhet fototropizëm.
Giberelinat janë një tjetër bashkësi hormonesh bimore. Ato ndihmojnë veprimtarinë e mbirjes, zgjatimin e kërcellit, zgjerimin e gjetheve, gonxheve dhe zhvillimin e bimës në përgjithësi. Giberelinat ndihmojnë farën që të dalë nga gjendja e gjumit kur krijohen kushtet e domosdoshme për mbirje. Giberelinat përdoren gjithashtu në bujqësi për të rritur madhësinë e frutave dhe për nxitur prodhimin bujqësor.
Citokininat janë një bashkësi hormonesh që nxisin ndarjen e qelizave dhe rritjen, kryesisht tek rrënjët dhe filizat. Ato veprojnë përkrah auksinave për të mbikqyrur rritjen dhe ndarjen e qelizave, gjë që ndihmon krijimin e organeve të reja si për shembull gjethet dhe lulet. Citokininat pengojnë plakjen e indeve bimore (zverdhjen) duke i mbajtur ato gjithnjë në gjendje të gjelbër.
Etileni është një hormon bimor në trajtë gazi që ndihmon pjekjen e frutave dhe rënien e gjetheve. Merr rëndësi të veçantë gjatë thatësirave, përmbytjeve dhe dëmtimeve sipërfaqësire. Etileni mund të shkurtojë kohën e pjekjes së frutave, duke i bërë ato të ëmbla e të buta. Kjo është mënyra që sipërmarrjet bujqësore përdorin për të nxitur pjekjen e shpejtë të frutave të mbledhura. Etileni ndihmon në ripërtëritjen e bimës duke krijuar një shtrese mbrojtëse në vendin ku bima mund të jetë prerë ose dëmtuar.
Acidi abshisik, ose ndryshe ABA, është një lloj hormoni bimor që ndihmon përshtatjen në kushte të jashtëzakonshme, si për shembull thatësira, acari dhe prania e lartë e kripës. Lënda ndikon tek mbyllja e gojëzave (stomatat) në sipërfaqen e gjethes, me qëllim për të ulur djersitjen e ujit. ABA ndikon edhe tek fara pasi pengon mbirjen e bimës në kushte të papërshtatshme mjedisore.
Penguesit e rritjes janë lëndë që ngadalësojnë ose ndalojnë rritjen e bimës. Këto mund të jenë hormone natyrale, si për shembull acidi abshisik (ABA), por mund të jenë edhe lëndë sintetike (të krijuara në laborator) që gjejnë përdorim të shpeshtë në bujqësi për të penguar rritjen e padëshiruar të bimëve në raste kur kushtet janë të papërshtatshme, për të penguar rritjen e barishteve të këqija (tëharrje), si dhe për të penguar rritjen e tepërt të bimëve në vazo.
Nxitësit e rritjes janë lëndë që përmirësojnë rritjen dhe zhvillimin e bimës. Këto mund të jenë hormonet natyrale si auksinat, giberelinat dhe citokininat, por mund të jenë edhe lëndë kimike sintetike (të krijuara në laborator) që përdoren për të nxitur rritjen e bimës. Nxitësit e rritjes gjejnë përdorim të gjerë në bujqësi me qëllim për të rritur sasinë e të korrave, madhësinë dhe cilësinë e frutave, si dhe për të nxitur zhvillimin e rrënjëve dhe filizave.
Vrasësit e barërave (herbicidet) janë lëndë kimike që përdoren për të zhdukur bimët e padëshiruara, zakonisht barishtet e këqija. Ato pengojnë veprimtarinë e rritjes deri në pikën sa bima vdes. Vrasësit e barërave mund të jenë të llojit që veprojnë vetëm tek bimë të veçanta, por mund të jenë edhe të llojit që nuk bëjnë dallim dhe veprojnë tek të gjitha bimët në një hapësirë të caktuar. Ato gjejnë përdorim të shpeshtë në bujqësi me qëllim që ku ka të lashta të mos ketë bimë të tjera që luftojnë për dritën e diellit apo që thithin ujin dhe lëndët ushqyese në tokë.
Ngadalësuesit e rritjes së bimëve janë lëndë kimike që ngadalësojnë rritjen e bimës pa e dëmtuar atë. Ato përdoren zakonisht në fushën e hortikulturës me qëllim që të ruhet një madhësi e caktuar e bimëve zbukuruese, apo që të pengohet zgjatja e tepërt e kërcellit tek të lashtat. Ngadalësuesit e rritjes veprojnë duke frenuar hormonet e rritjes, si për shembull giberelinat. Nga përdorimi i ngadalësuesve të rritjes rriten bimë më të forta, me pamje më të këndshme dhe më të durueshme ndaj kushteve të jashtëzakonshme mjedisore.