Për nxënësit, për mësuesit, për prindërit, për shqiptarët në të gjithë botën
Mirësevini!
Kjo bashkësi faqesh do të shërbejë si doracak për lëndët shkollore në gjuhën shqipe. Këtu do të botohen të gjitha dijet dhe mësimet e shkencave të natyrës për klasat 5-12 dhe me shpresë, në të ardhmen do të shtohen edhe dijet për lëndët shoqërore.
Në fushën e shkencës fuqi quajmë dukurinë që qëndron në thelb të gjithësisë dhe çdo veprimtarie që ndodh në të. Pa fuqi nuk mund të ketë lëndë, nuk mund të ketë veprim, nuk mund të ketë punë, nuk mund të ketë jetë, nuk mund të ketë gjithësi. Çdo gjë që ndodh në gjithësi është shprehje e fuqisë. Emërtimi shkencor i fuqisë është energji.
Disa shembuj të shprehjes së fuqisë janë: bashkëveprimet kimike, lëvizja e atomeve, çlirimi i fotoneve (rrezatimi), fuqia bërthamore (ndarja e atomit), fuqia elektrike, çdo lloj lëvizjeje e sendeve si për shembull rënia e topit, kolovajsja, zhvendosja e një automjeti, lëvizja e gjymtyrëve të trupit, rrahjet e zemrës dhe qarkullimi i gjakut, tretja e ushqimit, mendimet e njeriut, fluturimi i aeroplanëve, rrjedha e ujit, dallgët e detit, valët e ujit, shpërthimi i vullkanit, erërat, rrotullimi i planeteve rreth diellit, etj.
Fuqia shprehet në trajta nga më të ndryshmet: e përgjumur, vepruese, kundërvepruese, bashkëvepruese, e përçuar, e valëzuar, e tendosur, e lidhur, e përhapur, e rëndesës, e rrezatuar, e bartur, e rregullt në prehje, e rregullt me kah, e çrregullt pa kah, etj. Fuqia as mund të krijohet, as mund të shkatërrohet. Ajo është gjithnjë e pranishme dhe mund vetëm të shndërrohet nga një trajtë në tjetrën.
Shkenca i hulumton të gjitha këto trajta të fuqisë. Shkencëtarët u kanë dhënë secilës prej tyre nga një emërtim të veçantë dhe i kanë ndarë ato në bashkësi sipas ndërvarësisë që shfaqin në natyrë: fusha e biologjisë hulumton jetën dhe gjallesat, fusha e kimisë hulumton lëndët dhe bashkëveprimet mes tyre, fusha e fizikës hulumton veprimin dhe lëvizjen, ndërsa fusha e matematikës hulumton sasitë dhe përmasat. Ndonëse duket sikur këto fusha janë krejt në ndryshme nga njëra-tjetra, në thelb ato kanë të njëjtin qëllim - të hulumtojnë trajtat e ndryshme të shprehjes së fuqisë në gjithësi.
Nëse kuptojmë këtë të vërtetë kaq të thjeshtë, atëherë kemi kuptuar thelbin e shkencës dhe të gjitha dukurive në natyrë.
Mënyra e shpjegimit të dukurive shkencore në këto faqe mund të duke në fillim si e pazakontë, ndryshe nga ç'mund të keni hasur në librat shkollorë apo botime të tjera në shtyp ose në rrjet. Kjo sepse autori ka ndjekur një mënyrë arsyetimi që mbështetet mbi parimin e "përshkrimit të përpiktë shterues" ose "qartësisë pedante", që do të thotë se në përshkrimin e dukurive autori është përpjekur të mos lërë asgjë të pashpjeguar, të shmangë çdo paqartësi dhe çdo keqkuptim të mundshëm duke ndjekur këto rregulla:
Përshkrim fjalë për fjalë, pa idioma, pa metafora e nënkuptime.
Hap-pas-hapi. Çdo arsyetim apo veprimtari ndjek një vijë logjike, sipas radhës e shkallës së rëndësisë.
Pa zhargon shkencor. Emërtimet teknike shkencore përdoren vetëm atëherë kur është e nevojshme dhe shoqërohen gjithnjë me përkufizimin përkatës.
Përsëritje të herë-pas-hershme. Çështjet e përfundimet kryesore përsëriten disa herë me qëllim që dija të ngulitet mirë në mendje e nxënësit.
Pa hamendësime. Përshkrimi i dukurive shkencore, edhe i atyre më të thjeshtave, nuk hamendëson që nxënësi duhet të ketë medoemos njohuri të mëparshme për to dhe emërtimet e tyre.
Për çdo vërejtje, ndreqje gabimesh apo thjeshtë pyetje mos nguroni të më shkruani në adresën ariesmp@gmail.com. Nëse ka diçka që mungon dhe duhet shtuar nga programi shkollor i vendit ku banoni, më njoftoni që ta shtoj.